23 maj 2009

Toti: Nuk do të jem kurrë një trajner

Kapiteni i Romës: Nuk jam i zoti ta bëj një profesion të tillë. Është shumë i vështirëNëse Roma ka dyshime mbi të ardhmen e klubit dhe të trajnerit, kapiteni Toti i ka idetë e qarta lidhur me të ardhmen e tij para dhe pas futbollit. “Sinqerisht, unë di atë që dini ju, ne lojtarët jemi të fundit që i marrim vesh gjërat mbi të ardhmen e klubit, - tha Toti.- Unë trajner, as që bëhet fjalë, nuk jam i aftë për një gjë të tillë. Është shumë e vështirë, nuk do të jetë roli im në të ardhmen. Nëse mësoj nga trajneri im? E dëgjoj, sepse duhet, sepse jam aty. A do të luaj ndaj Milanit? Spaleti bën shumë taktikë, por nëse i ka të gjithë lojtarët të gatshëm, është gjithçka më e thjeshtë”. Ndërkohë prej disa vjetësh i gatshëm nuk është Antonio Kasano, ish-mik i Totit, i cili rrëfen:“Duke parë që vonohet gjithnjë, e kam përkufizuar si “njeriu i natës”. Është një nga shokët me të cilët jam ndier mirë. Pasi diskutuam, u sqaruam. Tani dal shpesh me De Rosin dhe Akuilanin”. Të jesh kapiten dhe për më shumë në një vit negativ si ky, nuk është gjithsesi maksimumi.“Zakonisht, nëse humbasim, nuk e kthej kokën prapa, - vazhdon Totit, - dhe në të vërtetë këtë vit e kam bërë pak. Roma? Jam i lumtur që ndodhem në skuadrën që dua, por të jesh kapiten nuk është e thjeshtë, ke shumë përgjegjësi, në fushë dhe jashtë saj”. Ndonjëherë më mirë që bën babain…“Pas pak do të lindë edhe fëmija i tretë, por nuk është shumë e vështirë…”. Në fund një temë “e nxehtë”, që shpesh Toti e ka “përcjellë” me një “por”, “nëse” apo “ndoshta”: a do të rikthehet në kombëtare, sigurisht për “Botërorin 2010?? Marrëdhëniet e tij me trajnerin Lipi janë shumë të mira dhe mjedisi “axurr” do ta mirëpriste një rikthim të tillë. Këtë herë Toti është disi më i qartë: “Lipit i kam thënë se nëse një ditë do të më thërriste, do të mendohesha vetëm një herë për t’i kthyer përgjigje”. Ndoshta për këtë, dje në Trigoria një parrullë shkruante: “Me Totin në kombëtare fitojmë një tjetër botëror”.