JUVELIVE

25 maj 2009

Paolo Maldini, më shumë unik se i rrallë!

Ja rekordet e kapitenit. Karriera e tij e stërgjatë, brilante dhe e shkëlyer vetëm me fanellën e Milanit

Dhe vjen një ditë në karrierën e çdo futbollisti, kur duhet të varë “këpucët në gozhdë”. Një moment, që përfshin një jetë fizike, shpirtërore dhe mendore. Sidoqoftë, kur ky çast i takon Paolo Maldinit, pa mëdyshje bëhet solemn. Djali i një tjetër kapiteni të madh të Milanit, Çezare, i pari italian që ngriti trofeun e Kupës së Kampionëve, trajner i përfaqësueses italiane të të gjitha moshave, por dhe i Milanit, sot e kësaj dite vrojtues për “Djallin”, Paolo e ka lidhur të gjithë jetën e tij me Milanon dhe ngjyrat kuqezi; një fanellë që për atë është si “lëkurë e dytë”.

Fillimet

Milanez i datëlindjes 1968. Ardhja e tij tek Milani i formësua përmes një provimi më 1978, kalimi me sukses i të cilit bëri që të përfshihej në ekipet e moshave të klubit. Paolo i ri bëri përpara në ekipet zinxhir të klubit, duke spikatur gjithnjë e më shumë, si mbrojtës i krahut të majtë, hera herës dhe si qendërmbrojtës, derisa vjen debutimi në Serinë A, më 20 janar 1985. Trajneri i atëhershëm i Milanit, “Baroni xhentëlmen”, ish ylli i Milanit, suedezi Nils Lidholm (në parantezë sipas traditës së Milanit, që trajnerët i kërkon nga familja kuqezi) pa mëdyshje hedh në fushë një 16 vjeçar, kundër Udinezes, që përveç premtimeve për të qenë dhe për t’u bërë futbollist i madh nuk kishte provuar asgjë tjetër, veç mbiemrit premtues. Guximi i tij? I rrallë? Jo! Për t’u kthyer tek Paolo Maldini ai një vit më vonë bëhet titullar, ndërkohë që duhet pritur sezoni 97 98 për ta parë atë me shiritin e kapitenit, trashëguar nga Franko Barezi (ai kishte dorëzuar shiritin e kapitenit të përfaqësueses italiane më 1994).

Fama

Sipas revistës “World Soccer” ai renditet i 21 ti futbollist më mirë i shekullit XX të, me siguri një prej më të mirëve në rolin e tij, në mos më miri, i renditur i treti për “Topin e Artë” të viteve 1994 dhe 2003 (mos harrojmë se sa të rrallë janë mbrojtësit të renditur kaq lart dhe shtrirë kaq gjatë në kohë). Kjo nënkupton një integritet fizik, që buron nga ai mendor dhe shpirtëror, pra nga një qëndrim sjellje.

Jeta e tij do të thotë regjim, sakrificë, koherencë ndaj vetes, familjes, klubit, tifozëve. Sa të shumtë janë futbollistët tonë të kohës që heqin dorë nga vese apo qëndrime që paçka se i shkon për shtat rinisë për ata janë të ndaluara.
Paolo Maldini nuk u dallua vetëm për të dhënit e gjithçkaje të vetes për kauzën e Milanit dhe të Italisë, përfshirë shpejtësi dhe teknikë të kultivuar në mijra seanca stërvitore, por edhe duke mbështetur kauza madhore, p.sh. si Ambasador i UNICEF-it.

Rekordet

Karriera e tij është e mbushur me rekorde. Pak numra: një javë më parë, ashtu si filloi me Udinezen, po atje në Friuli luajti ndeshjen e …900 të zyrtare për Milanin (dje ndaj Romës ishte e 901-ta), 25 kampionate të njëpasnjëshëm (askush nuk ka luajtur kaq shumë me të njëjtën skuadër), 645 ndeshje në Serinë A, të gjitha për Milanin dhe 126 ndeshje me përfaqësuesen (rekorde të mbajtura nga ai), më shumë se 1000 ndeshje si profesionist, 26 trofe të fituara, gjysma e të cilëve ndërkombëtarë. Ai ka luajtur nën drejtimin e trajnerëve të mëdhej si Lidholm, Saki, Kapelo dhe Ançeloti. Në “Derbin e Madoninës” mes dy milanezeve ai ka marrë pjesë 56 herë, si askush tjetër.

Çaste të paharrueshme

Së bashku me madrilenin e famshëm, Hento, ai mban rekordin e 8 finaleve të Ligës së Kampionëve (5 nga të cilat të fituara), gjatë të cilave, Paolo ka shënuar edhe golin më të shpejtë, gjithnjë për këto finale (52 sekonda kundër Liverpulit më 2005).
Po kështu, mes rekordeve të panumurta të Maldinit, ai vjen i dyti si futbollisti më i moshuar që ka shkelur fushat e gjelbërta, pas Billi Kostakurtës, edhe ai kuqezi: 40 vjeç, 10 muaj dhe 20 ditë, në ndeshjen e një jave më parë kundër Udinezes.

Numri 3

Milani prej kohësh ka bërë me dije se së bashku me Maldinin do të lërë fushën edhe fanella me numur 3, që do të tërhiqet, si ajo me numur 6 e Franko Barezit. Personat e vetëm që do të mund ta veshin atë do të ishin djemtë Kristian, tashmë në ekipet e moshës së Milanit dhe Daniel, në rastet që do të qaseshin në Serinë A. Pra fanella ose një Maldini ose askujt! Dhe atë fare mirë, mund ta trashëgojë njëri prej djemve, të cilët e kanë ruajtur traditën duke vazhduar të luajnë me Milanin, si gjyshi i tyre Çezare dhe babai Paolo.