23 maj 2009

Milani, skuadra më e ndjekur në Serinë A

Skuadra e Milanit është më e ndjekura në stadiumet italiane për këtë sezon futbollistik. Sipas Ligës Italiane të Futbollit, skuadra më me shumë trofe ndërkombëtarë numëron mesatarisht 59 012 tifozë në ndeshjet që zhvillon brenda në stadiumin “San Siro”.Menjëherë pas Milanit vijnë kampionët e Interit, të cilët numërojnë 54 563 tifozë në ndeshjet brenda fushës së vet. Pas skuadrave milaneze vjen ekipi i Napolit, i cili ndiqet nga 40 631 tifozë. Pas tyre renditen me radhë, Roma, Lacio, Xhenoa, Palermo, Sampdoria, etj. Shifrat e Juventusit janë shumë pesimiste, pasi “Zonja e Vjetër” ndiqet mesatarisht për ndeshje nga 22 318 tifozë.