Kapiteni kuqezi “sulmon” klubin për mungesën e qëndrimit ndaj tifozëve: Asnjë fjalë solidarizuese ndaj meje
Lejoi që të kalonin më mirë pak ditë. Për të shmangur zemërimin dhe për të reflektuar disi. Pastaj ka folur, pa “frena”. Paolo Maldini “sulmon” Milanin dhe kjo pas 24 vjetësh dashuri, duket e pabesueshme: “Pasi kanë kaluar gati tri ditë nga ai episod, - tha kapiteni, - klubi nuk ka mbajtur akoma një qëndrim. Nga presidenti e tutje asnjë nuk ka shprehur një fjalë solidariteti ndaj meje. Jam i zhgënjyer”.
- Paolo, pse ua prishën festën?
- Nuk e di, vërtet nuk e di. Kam pasur gjithnjë një sjellje lineare,, duke ndjekur idealet e mia e respektuar të gjithë. Nuk i kam frekuentuar mjediset e tifozëve, por jo për snobizëm, për mbiemrin që mbaj, kam dashur gjithnjë të tregoj diçka. Kështu dua të gjykohem vetëm për atë që kam dhënë në fushë. Nga ata që e shohin si formë respekti drejt mjedisit e klubit dhe nga ata që e interpretojnë këtë sjellje si një kurth ndaj tyre.
- Çfarë iu ka zhgënjyer?
- Heshtja e klubit. Nuk më pëlqeu që nuk mori asnjë qëndrim. Nuk pati as edhe një koment nga presidenti e me radhë, asnjë drejtues nuk tha një fjalë. Unë do të jem një idealist, por besoj se një klub si Milani duhet të distancohet nga episode të tilla.
- Ju keni reaguar shpesh ndaj tifozëve, me fjalë të ashpra madje.
- Ka qenë një reagim instiktiv dhe ndoshta kam gabuar. Por ka qenë një sjellje e momentit, unë isha një njeri i lënduar. Nuk kam pasur mundësi të mendoj, ka qenë përgjigjja e një aksioni të paramenduar prej ditësh, muajsh e ndoshta vitesh. Unë jam një njeri me ndienja e dobësi.
- “Krenar që nuk jeni një nga ata”. E konfirmoni?
- Po, sigurisht. Është e pamohueshme që unë jam milanist dhe që kam dhënë gjithçka për fanellën kuqezi. Pavarësisht nga kjo, jam kundërshtuar shumë herë. Isha kapiten prej gjashtë muajsh kur ata shkruan në një parrullë që nuk isha i denjë për shiritin dhe poshtë shtëpisë shkruan: ‘Më pak Holliwud, më shumë përkushtim’. E kujt, mua? Por janë gjëra që më kanë rritur. Unë kam fituar një pjekuri e liri intelektuale në të shprehur dhe s’do të heq dorë asnjëherë.
- Kristiani e Danieli, fëmijët tuaj, a iu pyetën?
- Jo, por Kristiani e kuptoi, edhe Danieli që është i zgjuar mori vesh diçka. Të dy dëgjuan komentet që bëra me gruan time. Ai episod pati një domethënie shumë të madhe.
- Dhe prishi festën tuaj.
- Që ishte shumë e bukur, pikërisht siç e ëndërroja. Diell, nxehtë, ndeshja pasdite si në debutimin tim, stadiumi plot me familje dhe 70 mijë njerëz që më duartrokitën. Më vjen keq për ata 500 vetë që deshën të më prishnin festën.
- I kujtoni përplasjet në të shkuarën mes jush e tifozerisë?
- Episodet e vërteta janë dy. I pari, pas rikthimit nga Stambolli ku humbëm Championsin, ndonëse luajtëm një finale të mrekullushme e më të mirë sesa Liverpuli. Në aeroport na kundërshtuan: ‘Duhet të na kërkoni falje’. Unë luaja prej një jete dhe duhet t’i kërkoja falje një djaloshi 20-vjeçar? Dhe pastaj më falni, po për çfarë? Që humbëm një ndeshje, të cilën e luajtëm në mënyrë të jashtëzakonshme? Në të vërtet atë mbrëmje Liverpuli na mundi edhe në nivel tifozerish: kur po fitonim 3-0, dëgjoheshin vetëm anglezët, gjithnjë e më shumë… Pastaj në aeroport fluturuan fjalë të rënda dhe rrezikuam përplasjen…
- Episodi i dytë?
- Në Montekarlo, Superkupa Europiane e 2007-ës, ultrasit nuk bënin tifo dhe nuk lejonin asnjë që të na mbështeste. Edhe në kampionat për disa muaj luajtëm në një atmosferë sureale. Skuadra e vuante këtë situatë dhe unë fola në shtyp. Ishte një intervistë prej kapiteni, që gjithsesi nuk u pëlqeu disa tifozëve. U organizua edhe një takim sqarues me disa prej tyre, ku u theksova ato që kisha thënë në shtyp, duke shpjeguar që ishte për të mirën e Milanit.
- Tifozët iu akuzojnë për disa fyerje.
- Nuk i kam fyer asnjëherë përveç se në aeroport pas kthimit nga Stambolli. Megjithatë, episodi i së dielës krijoi një linjë edhe më ndarëse mes meje dhe tyre.
- Për t’iu lënduar nxorrën një parrullë për Barezin.
- Dhe Frankoja pas ndeshjes më kërkoi falje. Unë nuk e kuptova pse, nuk e pashë atë parrullë. I thashë: ‘Franko, rri i qetë: ti më ke mësuar të eci drejt, me kokën lart, pa raporte të çuditshme’.
- Nuk mund të harrohen as 70 mijë të tjerët që iu përshëndetën.
- Mbështetja ishte e madhe, di që u shitën të gjitha fanellat e mia. Dua t’i falënderoj të gjithë. U preka para fillimit të ndeshjes, ndonëse i kisha të gjithë pranë. Më erdhi për të qarë, pastaj pashë Pirlon që ishte më keq se unë.
- Do të luhet ndeshja e lamtumirës që e kërkoi Abete?
- Jo, por e falënderoj shumë presidentin e Federatës Italiane të Futbollit që më qëndroi pranë dhe donte të organizonte diçka. Edhe Platini më shkroi një letër të bukur.
- Po me Leonardon a u grindët?
- Ja, këto zëra janë të pabesueshëm. Kur më thanë se flitej për një grindje mes nesh, isha në dhomat e zhveshjes i përqafuar me Leon. Në atë moment që më filmuan telekamerat, ai më ftoi të mos ua vija veshin gjërave të tilla dhe unë i thashë atë që mendoj për ata njerëz. Kaq.
- Në Firence do të luani ndeshjen e fundit. Vendimtare, pikërisht siç donit ju…
- Po, e kërkova vetë… E pabesueshme si i vështirësuam gjërat. Kur ishim 2-2 me Romën, ishim të kualifikuar, por nuk e dinim dhe kërkuam fitoren.
- Gjëja e parë që do të bëni të hënën që vjen?
- Do të shkoj të shoh Kristianin si luan në një veprimtari në Toskanë. Pas ndeshjes me Fiorentinën do të qëndroj në zonë.
- Po e ardhmja?
- Asgjë s’është përcaktuar. Kam nevojë për pushime.
- Më 6 korrik grumbullohet Milani, a do të bëni ndonjë vrap të vogël?
- Mundet, por po ju rrëfej diçka: kur kam qenë me pushime nuk bëja asgjë. Pikërisht asgjë. Në fillim i gënjeja përgatitësit atletikë, pastaj fillova t’ua them hapur: fiziku im kishte nevojë të pushonte i gjithi.