28 maj 2009

Kuarezma refuzon Xhenoan: Dua vetëm Interin

Fantazisti portugez kërkon një mundësi tjetër nga Mourinjo pas huazimit te Çelsi në Angli
Në pritje për t’u përballur me çështjet Ibrahimoviç dhe Maikon, dy lojtarë që po tundohen nga idea e një transferimi në Spanjë, Interi është gjendur para një situate të paparashikuar në merkato: Rikardo Kuarezma nuk ka ndërmend të pranojë Xhenoan, pavarësisht se Preciozi e ka lajmëruar mbërritjen e tij.
Mourinjo e kishte thënë: “Ai ka qenë dështimi i sezonit, por mund të jetë surpriza e sezonit të ardhshëm”. E thënë ndryshe trajneri është gati t’i japë një mundësi tjetër bashkëkombasit të tij.
Dhe për t’ia bërë më të lehtë punën Kuarezmës ka kërkuar blerjen nga Çelsi të dy lojtarëve të tjerë, që kanë si prokurator Horge Mendezin, Deko dhe Karvajo. Kjo ka qenë deklarata e Kuarezmës e publikuar të martën në shtypin anglez: “Do të rikthehem tek Interi për të qëndruar. Jam në borxh me presidentin Morati, që ka shpenzuar shumë për mua, dhe me Mourinjon, që më ka kërkuar me të gjitha forcat.
Eksperienca ime e parë nuk ka shkuar mirë, edhe pse kam munguar në fazën parapërgatitore të skuadrës. Por jam i sigurt për vlerat e mia dhe do ta tregoj këtë. Agjenti im më ka propozuar oferta të klubeve të ndryshme, edhe në Itali, por i kam refuzuar. Dua Interin. Nuk kam frikë nga presioni, as nga vërshëllimat në stadium.
Madje, të dielën do të më pëlqente të isha në Itali për të festuar kampionatin e fituar me shokët e mi të skuadrës”. Ndërkohë, në Lisbonë e përditshmja sportive “A Bola” ka nënvizuar faktin se Mourinjo ka shtuar fuqinë e tij tek Interi: “Mou ka firmosur rinovimin dhe ka nisur sulmin për Dekon dhe Karvajon”, shkruan gazeta portugeze.
Në Londër, ku dy lojtarët kanë përfunduar në hije, po fërkojnë duart. Me një kërkesë kaq të qartë Çelsi do të ketë avantazhin për të “caktuar” çmimin. Por ashtu siç ka ndodhur me Kuarezmën, Morati nuk është i bindur për ta çuar deri në fund këtë operacion. Do ta kënaqë Mou-në me çdo kusht? Por nëse nuk e bën, ai do të ketë një justifikim për t’u larguar.