Trajneri i ri i Juves është shprehur shumë i kënaqur me fitoren kundër Sienës
Një debutim më të mirë ndoshta Çiro Ferrara vetëm e kishte ëndërruar. Juventusi, në fakt, jo vetëm që ka shkatërruar Sienën në transfertë me shifrat 3-0, por ka siguruar edhe kualifikimin direkt në Champions Ligën e ardhshme. Trajneri i ri në përfundim të sfidës ka komentuar ndeshjen e tij të parë në drejtim të ekipit bardhezi, por ka folur edhe për të ardhmen e tij.
“Nuk mund të kërkoja një debutim më të mirë se ky, ka qenë një javë e ngarkuar emocionalisht, por kam qenë më i qetë kur kam dalë sot (dje) në fushë se në ditët e kaluara. Kishte gëzim, por edhe shqetësim. Eshtë e qartë se më është dhënë një mundësi dhe unë jam përpjekur ta shfrytëzoj në maksimum dhe ta përgatisja ndeshjen e parë në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa dhe skuadra është përgjigjur mirë. Dua t’i falenderoj lojtarët për impenjimin që kanë treguar gjatë gjithë javës”. Në lidhje me të rejat që ka sjellë tek Juventusi.
“Kam folur qartë që nga dita e parë, e dija se nga pikëpamja taktike ishte e vështirë të bënim një lojë ndryshe, - ka vazhduar Ferrara. - Jam përpjekur të punoj më shumë tek motivimi i ekipit. Dhe në këtë aspekt skuadra ka reaguar mirë. Objektivi më i rëndësishëm ishte kjo e dielë, jo shumë ditët që më mbesnin nga e hëna në të dielën e ardhshme. Ka shkuar gjithçka për mrekulli, por kam thënë se objektivi ynë ishte vetëm një. Lojtarët e dinë për çfarë e kam fjalën”. Në fund, një koment për Del Pieron:
“E keni parë të gjithë përgjigjen që Aleks ka dhënë në fushë. Eshtë stërvitur mirë në ditët e para të javës, ka pasur disa probleme fizike gjatë ditëve të fundit, por më pas ka dhënë disa shenja përmirësimi, edhe duke ekzekutuar goditjet e dënimit. Duhej të zgjidhja kë të vendosja përkrah Iakuintës. Kam zgjedhur t’i besoj Del Pieros dhe gjithçka ka shkuar mirë. Ka pasur një reagim prej kapiteni, një gjë tek e cila kisha besim se do të ndodhte”, ka thënë Ferrara.