JUVELIVE

26 maj 2009

Bufon: Juve, duhen kampionë si Kanavaro

Nga debutimi te “Calciopoli”, nga kampion bote në Serinë B, portieri rrëfen edhe se ka qenë pranë Barçës
Xhixhi Bufon në të gjithë “fushën”. Portieri i Juventusit dhe i kombëtares italiane, pasi Juvja ka siguruar Championsin direkt për sezonin që vjen, ndihet më i lehtësuar se para pak javësh, kur rezultatet nën drejtimin e trajnerit Ranieri, nuk ishin ato që duheshin. Ardhja e Ferrarës në stol, ka rikthyer buzëqeshjen në kampin juventin falë edhe fitores në Sienë.
“Kam një kontratë deri në 2013-ën, ndaj kam akoma shumë kohë përpara, - thotë portieri bardhezi mbi të ardhmen e tij. - Por do të doja që skuadra të ishte më e fortë në sezonin e ri. Unë jam një futbollist dhe duhet të mendoj për punën time, sikundër drejtuesit duhet të mendojnë për të tyren. Por është e qartë që edhe jashtë, jam shumë i kujdesshëm me atë që ndodh në klub”.
Bufon ripërshkruan karrierën e tij, nga fillimet me kamerunasin N’Kono si model kur debutoi 17 vjeç kundër Milanit. Ndryshe nga atëherë, “jam një portier tjetër, kam më shumë përvojë e gaboj më pak, sot jam shumë më mirë. Cili është portieri më i mirë në botë mes meje, Hulio Sezarit, Çehut e Kasiljasit? Varet nga momenti. Unë luajta siç doja në gusht e në tetor, pastaj u dëmtova dhe qëndrova jashtë tre muaj, por një sezon zgjat më shumë. Në fund rëndësi ka karriera, të tregosh vazhdimësi”.
Por këtë vit, numri një bardhezi ka përfunduar shpesh në shënjestër të kritikave: “Kritikat nuk i pëlqejnë askujt, por duhet të jesh edhe autokritik dhe të ruash një farë ekuilibri, - vazhdon Bufon. - Më pëlqen të përsëris se jam lojtari i vetëm i Serisë B që u rendit i dyti për çmimin e “Topit të Artë 2006″, është një kënaqësi e madhe.
Atë vit Italia fitoi Botërorin në Gjermani dhe më pas pranoi të luajë me Juven në kampionatin inferior, si pasojë e “Calciopolit”, që i hoqi “Zonjës” dy tituj, ndonëse Bufoni i ndien akoma të tijët ato kampionate: “Nuk më pëlqejnë polemikat, parapëlqej t’i analizoj gjërat me qetësi e sinqeritet. Emocionet që të dhurojnë fitoret i përjeton në moment dhe atëherë i feston shumë ato suksese. Pastaj pak rëndësi ka nëse m’i kanë hequr ato tituj, rëndësi kanë emocionet që i ke përjetuar”.
Portieri “axurr” nuk është penduar kurrë nga zgjedhja që qëndroi te Juvja edhe në B: “Ishte një zgjedhje koshiente. Nuk e di nëse vendimi im qe i ndikuar, sepse qëndruan edhe të tjerë, por e dija që roli im ishte i rëndësishëm. Asnjë nuk u përpoq të më bindë, secili bëri zgjedhjen e tij personale. Ishim dhe jemi të gjithë miq”. Megjithatë ofertat nuk mungonin: “Kam qenë shumë pranë nënshkrimit me Barcelonën, por shumë kohë më parë ama, kur po mbyllja aventurën time te Parma, - rrëfen 32-vjeçari.
- Atëherë Barça kishte probleme me portën, jo si tani”. Bufon do të provojë të arrijë kënaqësi edhe në qershor në Afrikën e Jugut në Kupën e Konfederatave: “Me Italinë dua të fitoj gjithçka, nuk kam frikë nga asnjë. Nëse luan për Italinë luan për një vend të tërë, është një përgjegjësi e madhe, do të luaj gjithnjë për të fituar”.
Me “axurrët” do të rigjejë Fabio Kanavaron, që në sezonin e ardhshëm do të veshë sërish fanellën e Juves: “Jam shumë i kënaqur nga rikthimi i tij, - përfundon Bufoni, - sepse vazhdon të jetë një kampion i madh dhe një motivues për skuadrën. Për mua është një mik i ngushtë dhe nëse Juvja kërkon të kthehet në nivele të larta, duhet të marrë lojtarë si ai. Fabio do të luajë akoma edhe për disa vjet, por janë këta lojtarë që i duhen Juves”.