Trajneri kuqezi lëshon mesazhe dashurie drejt klubit, ndonëse vijnë zëra se Sheva po “e ndihmon” të shkojë në Angli
E ardhmja e Karlo Ançelotit do të njihet vetëm të hënën që vjen. Këtë e deklaron vetë trajneri kuqezi, i cili pranon se pret “një vendim të Milanit” dhe shprehet i gatshëm të qëndrojë “nëse klubi do të ma kërkojë”. Për një gjë Ançeloti është i sigurt:
“Ndeshja në Firence nuk do të ndikojë në zgjedhjet e mia dhe të klubit. E ardhmja ime nuk ka fare rëndësi dhe ka vlerë vetëm hyrja direkt në Ligën e Kampioneve”. Për sa i takon burimeve këmbëngulëse që e shohin shumë pranë stolit të Çelsit të Roman Abramoviçit, trajneri kuqezi shpjegon: “Nuk kam në program ndonjë takim të shpejtë me Abramoviçin.
Po studioj gjuhën angleze prej dy vitesh, por nëse drejtuesit e Milanit do të më kërkojnë të qëndroj, do të qëndroj”. Ançeloti pastaj ndaloi te episodi i shëmtuar në lamtumirën e Maldinit dhe kundërshtimin ndaj Berluskonit nga ana e tifozëve kuqezinj: “Nuk ishin episode të kënaqshme, edhe pse në 20 vitet e fundit tifozët e Milanit janë sigurisht në vend të parë në renditjen e kënaqësisë për objektivat e arritura. Pra, i shoh këto kundërshtime pa vend”.
Një batutë Ançeloti ia rezervon edhe zërave, sipas të cilëve shihet në stolin e Romës: “Nuk besoj se do të ndeshem së shpejti në dyert e Trigorias me Spaletin. Luçiano pati një sezon të ngjashëm me timin, të vështirë e me shumë dëmtime. Uroj që t’i realizohen ëndrrat”. Gjatë prezantimit të librit të tij, Ançeloti e mbyll fjalën e tij me një frazë për Mourinjon: “Në aspektin profesional, ka fituar kudo, ndaj s’mund të them asgjë. Nga ana tjetër, në aspektin estetik, në ndonjë rrethanë e ka tepruar”.
Ndërkohë nga Londra vijnë burime mbi marrëveshjen mes Ançelotit e Abramoviçit. Para së gjithash vjen një detaj edhe më intrigues nga çështja e marsit të shkuar. Manjati rus, pas bisedimeve të kota në pranverën e shkuar, këtë herë ka dashur të mësyjë menjëherë për të marrë trajnerin e ri. Kështu, ka informuar mbi nismën e tij vetëm bashkëpunëtorët më të ngushtë.
Dhe i qenka lutur një miku të tij të ngushtë “milanez” për të biseduar direkt me Ançelotin, pa ndërmjetës. Dhe e dini se cili është njeriu në fjalë? Andrei Shevçenko. Po, pikërisht ai. Sulmuesi që në këtë sezon me Milanin ka qëndruar shpesh në tribunë, është thirrur nga miku i tij padron (Sheva është akoma nën kontratë me Çelsin edhe për dy vjet) për ta ndihmuar e bindur trajnerin, i cili nuk e ka aktivizuar shpesh gjatë sezonit. Ironi e fatit. Por ky është edhe një rikonfirmim i marrëdhënies së privilegjuar mes ukrainasit dhe Abramoviçit, që me sa duket e rikërkon në Londër pas mbarimit të huazimit te Milani.
Sigurisht, në takimet treshe, Sheva ka bërë përkthyesin dhe i njeh në detaje termat ekonomikë të kontratës 3-vjeçare që do ta lidhë Ançelotin deri në 2012-ën. Flitet për më pak se 5 milionë euro në vit, përveç çmimeve e bonuseve. Pa dyshim gjithçka është e lidhur me miratimin e klubit kuqezi, me të cilin ka një kontratë deri në 2010-ën. Për këtë arsye, Milani e Ançeloti kohët e fundit vazhdojnë të luajnë “e ka kush e ka”, duke shtuar dyshimet që Berluskoni mund të mbajë teknikun.