JUVELIVE

02 prill 2009

Shqipëri amatoreske në Danimarkë

Pas zhgënjimeve me Maltën dhe Hungarinë, Shqipëria merr edhe goditjen e "knock-out"-it në Danimarkë. Kuqezinjtë mposhten 3-0 përballë skandinavëve që kryesojnë Grupin 1 eliminator, një rezultat që lë shije të hidhur për paraqitjen, por edhe për mënyrën sesi u pësuan golat. Gabime amatoreske, asnjë gjuajtje në portë dhe një 90-minutësh për t‘u harruar. Një humbje e cila vë seriozisht në diskutim edhe të ardhmen e trajnerit Ari Han, që tashmë duket gjithmonë e më pranë largimit nga detyra.Han hedh në fushë formacionin 4-1-4-1, me Bylykbashin titullar, pasi kapiteni Altin Lala nuk është rikuperuar për sfidën në Kopenhagen. Bulku pozicionohet përpara mbrojtjes, ndërsa Berisha luan si sulmues i vetëm, duke shpresuar te fantazia e Bylykbashit dhe Skelës. Interesant ka qenë fakti se mes 23 mijë tifozëve në "Parken Stadium", 2 mijë kanë qenë shqiptarë, ndërsa të gjithë të pranishmit kanë duartrokitur pas anonçimit se në tribunën "VIP" ndodhej Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili e ka ndjekur ndeshjen përkrah Kryeministrit danez, Anders Fogh Rasmusen. Pas një fillimi të qetë të lojës, danezët japin sinjalin e parë në të 10-ën, por në dy raste, Vangjeli largon tentativat e Romehdal. 30-vjeçari i NEC në kampionatin holandez ka tentuar sërish më vonë, por mbrojtësi i Arisit e frenon, duke mbajtur të paprekur rrjetën. Danimarka këmbëngul në kërkim të avantazhit edhe me Leon Andreasen e Jakobsen, tentativa të cilat nuk sjellin rezultatet e dëshiruara. Shqipëria zgjohet vetëm pas 27 minutave lojë, ku pas një harkimi në zonë të Duros, topi shkon te Curri, por mbrojtësi është me shpinë nga porta dhe nuk përbën rrezik për "gardianin" Sorensen. Kuqezinjtë fitojnë besim në lojë, e kërkojnë portën me kombinime të bukura, por pikërisht kur dukej se skuadra po kalonte momentin më të mirë, ndëshkohemi. Në të 31-ën, Leon Andreasen përfiton nga hapësira që ka, gjuan nga 25 metra dhe me "ndihmën" e Isli Hidit kalon danezët në avantazh. Vetëm gjashtë minuta më pas, skuadra e Olsen dyfishon shifrat me Soren Larsen, që përfiton nga një tjetër gabim amatoresk i kuqezinjve. Ndërsa vendasit ndryshojnë kartat, duke hedhur në fushë sulmuesin e Arsenalit, Bendtner, Dallku ndëshkohet me karton të verdhë dhe sërish humbet sfidën me Portugalinë, që do të luhet në Tiranë, më 6 qershor. Në fraksionin e dytë të lojës, Ari Han rrezikon (ashtu siç nuk kishte bërë kurrë më parë që prej emërimit në stolin kuqezi) dhe aktivizon Hamdi Salihin përkrah Besart Berishës, duke kaluar me skemën 4-4-2. Pavarësisht ndryshimeve është Danimarka ajo që ka fjalën e parë, madje në të 58-tën diferenca mund të ishte bërë më e thellë. Bendtner shkëputet nga e djathta, por gjuajtja e tij largohet nga Hidi, ndërsa topi mbetet në zonë dhe Poulsen provon dy herë, pa arritur të gjejë rrjetën. Goli i tretë i Danimarkës vjen në të 80-ën, pas një tjetër gabimi të pafalshëm të portierit Hidi. "Gardiani" del në mënyrë mjaft të keqe nga një goditje këndi dhe Poulsen përfiton, duke e dërguar sferën në rrjetë me portën e boshatisur. Por Han vazhdon me çuditë e tij dhe në dizavantazhin e tre golave largon nga fusha një fantazist, Bylykbashin, duke aktivizuar shkodranin Elvin Beqiri. Në minutat e fundit, ka pasur kohë edhe për debutimin e Migen Memellit në Kombëtare, që zëvendësoi Berishën.