Interi 72 pikë, Juventusi 63. “Titulli tani është më afër?. Fjalë të Hoze Mourinjos, që gjithsesi ka ndaluar të theksojë që “akoma nuk ka mbaruar kampionati. Ka akoma edhe shumë pikë në lojë, duhet të marrim të paktën edhe pesë fitore”. Por sigurisht që suksesi i djeshëm në Udine është shumë i rëndësishëm. “Arritëm të shtojmë epërsinë kur objektivi ishte të përpiqeshim ta ruanim, - vazhdoi Mourinjo, - sepse në letër për ne sfida ishte e vështirë. Por Udineze luajti një ndeshje të madhe dhe ne, me pak fat dhe mes autogolit dhe 11-metërshit ndaj Kauljarelës, kush e di ku do të ishim, megjithatë arritëm të fitonim. Kemi nevojë për 15 pikë dhe 15 janë shumë. E dimë që 9 pikë me 8 ndeshje për t’u luajtur janë shumë, por ne jemi më të qetë dhe nën trysni është Juvja tani. Ne jemi më të kënaqur, ndërsa ata sigurisht nuk janë të lumtur, sepse humbëm 2 pikë në shtëpi, por ne këto pikë do t’i marrim patjetër. E ndiejmë që titulli është më afër”.
Mbi përqafimin me Kualjarelën, Mourinjo sqaroi: “I thashë Kualjarelës që luan mirë futboll dhe që nuk duhet të rrëzohet në tokë, ai erdhi të më thotë që nuk u hodh, - tregon portugezi, - ishte një situatë e vështirë në zonë. Fabio është një djalë i mirë dhe do të më pëlqente të luajë me fanellën e Interit. Është një lojtar i zoti, më pëlqen, më pëlqen sesi sulmon në thellësi, është i veçantë. A e këshillova? Jo jo, bëra shaka me të, por është një lojtar shumë i vështirë. Kordoba e Kivu luajtën shumë mirë, por Kualjarela sulmon në thellësi dhe është shumë i shpejtë”. Trajneri portugez lavdëron edhe skuadrën kundërshtare: “Kanë shumë lojtarë të mirë dhe na vunë në vështirësi. Santon ishte pak i lodhur dhe dje luajti një ndeshje të shkëlqyer, ndërsa pashë një Maksuell të jashtëzakonshëm, është një lojtar që më pëlqen shumë”. Për vitin e ardhshëm, sipas Mourinjos, Interi nuk duhet të ndryshojë shumë: “Skuadra jonë nuk ka nevojë për një revolucion, duhet të përmirësohemi në të gjitha repartet, me ekuilibër në zgjedhje, ekonomikisht dhe në moshë”.