JUVELIVE

06 prill 2009

Hap fals i Juves, Interi marshon drejt “Scudettos”

Juventusi ka bërë një hap fals, pasi në stadiumin “Olimpiko” të Torinos është bllokuar nga Kievo në shifrat 3-3 në fund të një ndeshjeje emocionuese. Verdheblutë kanë shkuar dy herë në avantazh me anë të sulmuesit Pelisier dhe janë arritur dy herë nga vendasit, në fillim nga qendërmbrojtësi Kielini dhe më pas për një autogol fatkeq të Moreros. Në vazhdim ka menduar Iakuinta për të kompletuar kthimin e rezultatit për bardhezinjtë, duke realizuar golin e avantazhit, por në kohën shtesë Pelisier ka ndëshkuar sërish një mbrojtje të pavëmendshme, për të arritur një barazim që mund të rezultojë fatal për ambiciet e Juventusit në luftën për titullin kampion. Ndërkohë, në luftën për një vend në Champions vitin e ardhshëm, fitores së arritur nga Fiorentina në ndeshjen e parë të kësaj jave, i janë përgjigjur edhe skuadrat e Xhenoas dhe Romës, duke arritur fitore në përballjet respektive. Xhenoanët kanë rimarrë vendin e katërt në renditje në ndeshjen e zhvilluar në “Granilo” kundër Rexhinës falë një goli të mesfushorit Tiago Mota, ndërsa verdhekuqve u janë nevojitur dy penallti, të cilat janë transformuar në gol nga kapiteni i rikthyer Toti, për të mposhtur ekipin e Bolonjës, që ka qenë e aftë të barazojë avantazhin e parë të vendasve me anë të sulmuesit Maracina para se të dorëzoheshin në pjesën e dytë. Por vazhdojnë të ëndërrojnë Europën edhe Kaljari dhe ai Palermo, që kanë 45 pikë, vetëm 4 larg Romës. Kaljaritanët fituan 1-0 ndaj Katanias, falë një goli të shënuar nga Matri dhe me të njëjtin rezultat, 1-0, ekipi siçilian ka mposhtur Torinon me një gol të Kavanit. Sampdoria edhe Napoli janë ndarë në barazim 2-2.