JUVELIVE

03 prill 2009

E ardhmja e Adrianos mbetet ende e mjegullt

Adriano nuk ankohet për 90 minutat e qëndruara në pankinë në ndeshjen ndërmjet Brazilit dhe Perusë, e fituar 3-0 nga kariokat. “Dunga ka besim te unë e te futbolli që unë luaj. Ai që rri në pankinë duhet të shfrytëzojë momentin e tij kur thirret nga trajneri për të hyrë në fushë e të japë më të mirën e tij”, komentoi sulmuesi zikaltër. Adriano pas ndeshjes flet edhe për të ardhmen e tij, Interin dhe Mourinjon. "Kontrata ime me Interin skadon në 2010, do të reflektoj me qetësi nëse do e rinovoj apo jo”, tregon Adriano. “Kam një raport shumë të mirë me trajnerin Mourinjon, më ka caktuar titullar në disa ndeshje të rëndësishme, si kundër Milanit dhe në ndeshjen e parë ndaj Mançesterit në Ligën e Kampioneve. Në ndeshjen e kthimit e nisa nga pankina, por është Mourinjo ai që bën zgjedhjet. Unë gjithsesi jam i lumtur dhe me trajnerin flas gjithnjë.”