03 prill 2009

Diego Maradona: Çdo gol ishte një thikë në zemër

Diego Armando Maradona nuk arrin ta hedhë pas shpine humbjen me goleadë që Argjentina e tij pësoi përballë Bolivisë modeste. "Përpara ndeshjes ishte absolutisht e paimagjinueshme që të na shënonin kaq shumë gola. Çdo rrjetë e pësuar, për mua ishte si një goditje me thikë në zemër". Megjithatë, deklaratat e drejtuesit të stolit, nuk kanë mjaftuar për të qetësuar tifozët për kapitullimin në stadiumin "Hernando Siles" të La Pazit, në 3650 metra lartësi. Zemërimi i tyre u amplifikua edhe më shumë nga mediat vendase, të cilat e "kryqëzuan" Maradonën për paraqitjen e dobët të skuadrës. Vështirësitë e lojtarëve kur luajnë në lartësi kaq të mëdha mbi nivelin e detit nuk mjaftojnë për të justifikuar humbjen 6-1, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për një skuadër të pasur me talente, që udhëhiqet nga numri 10 Lionel Mesi, lojtari më i mirë në botë. "Skuadra fantazmë. Humbja historike". Turpërimi në Bolivi ka sjellë reagimet e ashpra të gazetave në Buenos Aires. E përditshmja "Clarìn", në komentin e saj citonte: "Askush, madje as tifozët më optimistë të Bolivisë, nuk do ta kishin imagjinuar fitoren 6-1. Një rezultat i habitshëm dhe poshtërues, që erdhi pas superioritetit të padiskutueshëm të bolivianëve, të cilat janë të parafundit në grupin eliminator". Ndërkohë, lexuesit e "Olè", në një sondazh, përcaktuan shkaqet e disfatës: Maradona 40 për qind, lojtarët 30 për qind, lartësia 20 për qind, Bolivia 10 për qind.