06 prill 2009

Adriano, festë me narkotrafikantë në Rio

Fillojnë të dalin detaje mbi “pushimin” në Rio de Zhanero të Adrianos: “Perandori”, paska marrë pjesë në disa festa të një shefi të narkotrafikut në një zonë të qytetit. Këtë e pohojnë disa burime nga policia vendëse. Gazeta “Extra” shkruante dje: “Si në çdo festë të kriminelëve, nuk munguan të ftuarit “Vip”. Një prej tyre është parë me dy pistoleta në brez, duke thithur marijuhanë dhe pirë pa pushim alkool”. Ata që kanë pasur informacione për praninë e sulmuesit të Interit në festë, kanë qenë tri komisariatet në Morro da Çatuba në zonën e Penjës, një nga zonat më të populluara të Rios, ku Adriano ka lindur dhe është rritur. Festa në fjalë qenka bërë të premten e shkuar në Çatuba për nder të shefit të narkotrafikut të Penjës dhe Alemaos, Marios dos Santos Nepomukeno, që gjëndet në burg. “I ftuari më i famshëm qau, u ankua për famën e tij dhe tha: ‘Paratë nuk janë gjithçka”, - saktësoi “Extra”, sipas së cilës, duke ironizuar, “superfesta ka qenë e denjë për një “Perandor”. Ndërkohë situata nuk duket se është zgjidhur. Menaxheri i lojtarit Rinaldi, sqaron që “Adriano nesër (sot) nuk do të rikthehet në Itali. Ai është në Rio në shtëpi me familjen e tij dhe tani do të shkojë të shohë disa ndeshje të kampionatit vendas, sidomos derbin Flamengo-Fluminense. Duhet të rregullojmë akoma disa gjëra”. Rinaldi pastaj përgënjështron zërat që Adriano paska kaluar një mbrëmje festive me disa narkotrafikantë: “Në Rio u përfol madje që kishte vdekur… Nuk është asgjë e vërtetë, janë të gjitha fjalë. Kanë thënë edhe që unë isha në Rio në një komisariat policie për të pritur Adrianon që po pyetej. Ndërkohë jam në San Paolo”.
Megjithatë Adriano, sipas televizionit brazilian “Globo” paska qëndruar në Rio për të zgjidhur disa probleme personale. Gjesti për të mos dhënë lajme për veten ka qenë një protestë ndaj klubit zikaltër, “fajtor” që ka refuzuar kërkesën e tij për të qëndruar akoma disa ditë në Brazil.