Portugezi ka rrëfyer se e ka bërë më parë këtë me Dekon në 2003-in para se të fitonte Championsin me Porton
Në qendër të polemikave lidhur me deklaratat e fundit kundër kolegëve të tij, Hoze Mourinjo ka folur për Ibrën, Moratin, Balotelin, të ardhmen dhe Juventusin. Rivalëve të kampionatit u ka bërë komplimenta dhe ka evituar të komentojë episode specifike të vendimeve të arbitrave, edhe pse është e lehtë të kuptohet pakënaqësia e tij dhe e ambientit zikaltër për trajtimin e ndryshëm mediatik që është bërë lidhur me “shqelmin” e Del Pieros kundër Meksesit në krahasim me “grushtin” e Adrianos ndaj Gastaldelos, që i ka kushtuar brazilianit një skualifikim prej tre javësh.
- Mourinjo, shpresoni të arrini në përballjen direkte me Juven me avantazhin aktual prej 7 pikësh?
- Nuk ka rëndësi diferenca me ta, por fakti se na mungojnë 20 pikë për të fituar kampionatin.
Fundi është gjithnjë dhe më afër dhe Interi vazhdon të fitojë. Jemi në një pozicion të privilegjuar, por duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Psikologjikisht jemi një grup shumë i fortë. Edhe pse kemi disa probleme në mbrojtje, të gjithë janë përshtatur me realitetin e vështirë.
- Keni reaguar mirë pas eleminimit në Champions.
- Zhgënjim ka pasur, është e kotë ta fshehim, por edhe një përgjigje të madhe në fushë, pa frikë. Madje, kam parë akoma më shumë dëshirë për të fituar një kampionat që është shumë i rëndësishëm.
- I keni bërë komplimenta Juventusit. Fitorja ndaj tyre do ta shtonte gëzimin e tifozerisë zikaltër?
- Egzistojnë disa kampionate të lehta, por ky sigurisht nuk është i tillë. Një kampionat i fituar festohet gjithmonë, por kënaqësia është shumë më e madhe kur fiton një kompeticion të pasur me cilësi dhe vështirësi. Të dy kampionatet e fituara me Çelsin më kanë sjellë nga një medalje, por më i bukuri mbetet kampionati i parë sepse ka qenë shumë i luftuar.
- Por Ibrahimoviç vazhdon të bëjë deklarata që nuk i bëjnë mirë ambientit.
- Nuk kuptoj pse Ibra duhet të largohet nga Interi. Kjo pakënaqësi, që unë e konsideroj një ndjesi normale pas eleminimit në Champions, ka bërë që ai të jetë më i vendosur në fushën e lojës. Ndoshta është keqkuptuar nga të tjerët, në të vërtet ka dashur të thotë se tani është i përqendruar vetëm tek kampionati.
- Gjithsesi, nuk mund të jeni indiferent ndaj faktit se mund të humbni lojtarin më të rëndësishëm.
- Unë jam shumë i qetë. Me Zllatanin flas çdo ditë në telefon, takohemi edhe në “Pinetina”. Marrëdhënia jonë nuk ka ndryshuar pas Mançesterit dhe tani ai ka edhe një stimul më shumë: të fitojë renditjen e golashënuesve. Ibra mbetet një lojtar, që luan për ekipin, por nëse do ta fitonte këtë titull askush nuk do t’ia hiqte Topin e Argjendtë, ndërsa atë të Artin do ta fitojnë Ronaldo ose Mesi, në varësi se cili nga këta të dy do të fitojë Championsin. Ky çmim do të ishte një gjë e bukur, pavarësisht eleminimit nga Europa.
- Ju mund t’i garantoni Ibrës se Championsi me fanellën e Interit mund të fitohet?
- Nuk besoj se kjo është e nevojshme. Ibra është një profesionist i madh dhe ka para vetes vitet më të mira të karrierës së tij.
- Po ju a keni bindur më parë një lojtar që ka dashur të largohej?
- Po, dhe ai e ka shkruar edhe në autobiografinë e tij. Pasi kishim fituar Kupën UEFA në vitin 2003, Deko ka dashur të largohej nga Porto. I thashë se qëndrimi edhe një vit tjetër do të ndikonte më shumë në të ardhmen e tij. Qëndroi, fituam Championsin dhe më pas ai kaloi tek Barcelona me një status tjetër.
- Të flasim për Interin e së ardhmes. Merkato do të bëhet në funksion të 4-3-1-2 apo do të riprovoni me 4-3-3?
- Mua më ka pëlqyer loja taktike, që kemi bërë kundër Rexhinës. Duke parë që ata luanin me tre mbrojtës qëndre ne kemi shfrytëzuar më shumë krahët. Baloteli vërteton atë që them unë. Eshtë shumë i pjekur dhe tani po luan mirë si qendërsulmues dhe si lojtar krahu në skemën 4-3-3, i mungon vetëm të luajë më në krah në një mesfushë me 4-4-2.
- Do t’i kërkoni Moratit një lojtar cilësor në mesfushë?
- Eshtë e vërtetë që na mungon një mesfushor i avancuar që të organizojë lojën, por shumë ekipe nuk e kanë potencialin fizik që kemi ne. Eshtë e qartë se nëse merret mesfushori i avancuar unë do të jem i kënaqur pasi do të kem një armë më shumë, por është e vërtetë ajo që ka thënë Morati. Më shumë se lojatrët, unë dua të ndryshoj filozofinë e klubit. Me presidentin kemi folur pas Mançesterit, herën e fundit të premten e kaluar, dhe do ta bëjmë sërish në të ardhmen derisa të kemi të njëjtin vizion dhe të njëjtën filozofi. Që nuk është ajo e Mourinjos ose Moratit ose e Brankës, por ajo e Interit. Kur isha tek Çelsi kishte shumë parà në dispozicion të trajnerit për filozofinë e tij. Tek Interi është më e vështirë, sepse në fillim duhet të mbyll një cikël dhe të filloj një tjetër.
- Nëse kjo filozofi nuk do të ndryshonte ju do të largoheshit?
- Unë e shikoj veten tek Interi vitin tjetër. Këtë të premte do të shkoj në Los Anxheles për të programuar grumbullimin e verës në korrik.