Numri një i Interit është shprehur i sigurt për episodin që ka shkaktuar zemërimin e Romës
“Për mua ishte penallti”. Presidenti i Interit Masimo Morati nuk ka dyshime në lidhje me episodin që ka shkaktuar protestat e Romës në ndeshjen e zhvilluar në “Meaca”.
“Për mua ishte penallti, - ka deklaruar Morati -, dhe më është dukur e pabesueshme siguria me të cilën është mbështetur e kundërta. Kështu që nuk duhet të merremi me këto diskutime, ku dikush thotë një gjë dhe dikush një tjetër”. Më pas për Balotelin: “Reagimi ndaj tifozëve të Romës?
Ai është i gatuar në këtë mënyrë…”. “Gjithmonë duhet të ketë polemika, futbolli është bërë edhe nga këto gjëra, por ndoshta unë nuk e shoh me të njëjtin sy që bëjnë të tjerët, - ka vazhduar Morati. - Unë besoja tek barazimi. Kemi luajtur shumë keq në pjesën e parë, ndërsa mirë në të dytën, treguam karakter. Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të luajmë më të përqendruar, pa u befasuar shpesh nga skuadrat kundërshtare”.
PAOLILO - “Kam parë të jepen penallti më të dyshimta”.
Ky ka ka qenë komenti i administratorit të deleguar të Interit, Ernesto Paolilo, në lidhje me rastin e Balotelit, që ka shkaktuar zemërimin e Romës. “Arbitri mund edhe të gabojë, është diçka normale, - ka vazhduar ai. - Duhet të vendosë në një fraksion sekonde. Kur është krijuar përsëritja e imazheve televizive kjo duhet të shërbente për të bërë gjithçka më të qartë dhe jo për të vënë në dyshim punën e gjyqtarit të ndeshjes.
Ndërsa ajo po përdoret për të evidentuar vetëm gabimet”. Më pas kanë ardhur edhe elozhet për Mourinjon:
“Ai di si të karikojë lojtarët”.
PIKE E ARTE - Trajneri interist është i vetëdijshëm për rëndësinë e një barazimi që, duke parë cilësinë e lojës dhe situatën që ishte krijuar, ka me të vërtetë shijen e suksesit:
“Një pikë e artë. Na mungonte pak intensiteti dhe përqendrimi pas lodhjes në ndeshjen e Championsit. Kemi shkuar në disavantazh 2-0, më pas ka ardhur një reagim i madh.
Në rastin e golit të tretë të Romës kemi humbur topin në një mënyrë amatoreske, por ka qenë edhe një faull i qartë i Baptistës ndaj Kambiasos, i cili nuk ka protestuar shumë. Kur rezultati ishte 3-1 ndeshja dukej e humbur, edhe unë e kam menduar këtë. Por karakteri i skuadrës ka bërë diferencën.
Ndeshja ndaj Mançesterit ka qenë e një dimensioni aq të lartë sa ka bërë që të dukej e vogël përballja me Romën, por nuk ishte kështu. Kështu që mund të them se kemi marrë një pikë të artë”, ka deklaruar Mou.
“Përvjetori” i Interit Zikaltrit, 12 muaj pa penallti kundër
Napoli, 2 mars 2008: lojtarët e Interit kundërshtojnë vendimin e arbitrit Ricoli. Një përvjetor është gjithmonë një përvjetor.
Për këtë, ndoshta, në përfundim të ndeshjes Inter-Roma, gjysëm ore pas penalltisë së dhënë nga gjyqtari Ricoli për kontaktin që nuk ka ndodhur midis De Rosit dhe Balotelit koha është kthyer një vit mbrapa. Ka qenë 2 mars 2008, stadiumi “San Paolo”, Napoli-Inter. Arbitri Ricoli (gjithmonë ai) jep një penallti kundër skuadrës së Mançinit, duke shkaktuar zemërimin e Materacit me shokë. Zalajeta shkon tek pika e bardhë e penalltisë. Gabon.
Prej këtij momenti kanë kaluar 365 ditë dhe penallti kundër Interi nuk ka marrë më. As në fundin e sezonit të kaluar, as në sezonin aktual. Skuadra e Mourinjos, në fakt, ka mbetur i vetmi ekip i serisë A 2008/09 që nuk është ndëshkuar me penallti pas 25 javësh kampionat. Këto kanë qenë rastet më të diskutueshme:
Java e 9-të, Fiorentina Inter: Burdiso pengon Pacinin në zonë, Rozeti vazhdon lojën.
Java e 10-të, Rexhina-Inter: kontakt midis Kordobës dhe Korradit, gjyqtar Banti.
Java e 13-të, Inter-Juventus: Muntari ndërhyn ndaj Markionit, gjyqtar Ricoli.
Java e 20-të, Inter-Sampdoria: Kordoba pengon Pacinin, Çeli nuk shikon parregullsi.