03 mars 2009

Milani i së ardhmes në pesë lëvizje!

Drejtuesit kuqezinj po punojnë për rinovimin e ekipit për nisjen e një cikli të ri pa harxhuar shumë

Shumë do të varet nga kualifikimi në sezonin e ardhshëm të Champions Ligës, që nëse do të mungonte edhe manovrat më të vogla në merkato do të bëheshin të vështira. Por edhe nëse Milani do ta siguronte objektivin e fundit, që i ka mbetur në këtë sezon, është e dukshme se drejtuesit kuqezi nuk mund të injorojnë nevojën për rinovimin e skuadrës.

Duke filluar nga mbrojtja deri tek një sulmues me peshë i kërkuar prej kohësh nga Karlo Ançeloti. Pikërisht, Karlo Ançeloti, sepse Milani e ka mbështetur më shumë se një herë me kusht që të përfundojë sezonin në vendin e tretë. Pra, do t’i takojë sërish atij të drejtojë kuqezinjtë drejt së ardhmes. Kështu që qëndrimin e tij mund të konfirmohet me siguri, edhe pse mund të mos jetë kështu, dhe mund të bëhen përpjekje të arsyetohet mbi lojtarët që “kalojnë klasën” si për trajnerin ashtu edhe për klubin.

MBROJTJA DUHET RINOVUAR - Problemi më i madh për t’u zgjidhur është ai i rinovimit të repartit difensiv. Dy janë gjërat e sigurta: Maldini, i cili do të tërhiqet në fund të sezonit, dhe Tiago Silva, që e ka të sigurt vendin e titullarit në sezonin e ardhshëm.

Për pjesën tjetër nuk ka shumë siguri, duke filluar që nga Alesandro Nesta, rekuperimi i të cilit nuk mund të konsiderohet i sigurt, siç ka ndodhur një vit më parë. Pothuajse gjithçka rrotullohet rreth Nestës. Eshtë e qartë se, nëse është në gjendje të mirë fizike, ish-laciali është i pazëvendësueshëm. Por nuk mund të mos merret parasysh fakti se, në sezonet e fundit, qendërmbrojtësi milanist është ndalur më shumë se një herë për shkak të dëmtimeve.

Pra, nëse rekuperohet ose jo, Milani ka nevojë për një alternativë të vlefshme për Nestën. Emri më i përfolur lidhur me këtë është ai i mbrojtësit danez të Liverpulit, Daniel Ager. Për të paktën tre arsye: është i ri (25 vjeç në dhjetorin e ardhshëm), mund të luajë si në qendër ashtu edhe në krah dhe ka një çmim të pranueshëm, 8 milion euro.

Gjithmonë nga Premier Liga mund të vijë një tjetër lojtar që i pëlqen shumë Ançelotit. Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut të Arsenalit Gael Klishi. Ai është një vit më i vogël se Ager (ka lindur më 26 korrik 1985), por kushton dy milion më shumë (10 milion). Përsa i përket pjesës tjetër klubi kuqezi nuk duhet të ndryshojë asgjë dhe do t’i duhet të mendojë vetëm për lojtarët që do të konfirmojë.

Mationi, që nuk është akoma gati për një vend si titullar, por gjithsesi premton shumë për të ardhmen, Zambrota, Jankulovski, Bonera dhe Antonini (gjithmonë nëse nuk do të përfshihet në operacione të merkatos). Ndërsa Senderos do të largohet, Favali e Kaladze janë në dyshim. Në fund, në portë konfirmohet Abiati dhe Milani vazhdon të shpresojë t’i gjejë një skuadër Didës. Një synim i vështirë ky, duke parë paraqitjet e fundit të brazilianit dhe rrogën e tij të lartë.

RREZIKON EDHE SEDORF - Dy emra të rinj dhe ndonjë “sakrifikim” duhet të vijnë edhe për mesfushën. Këtu të sigurtët janë Pirlo, Gatuzo, Flamini dhe, nëse Galaksi e lejon, Bekham. Emerson nuk do të konfirmohet. Ambrozini është duke u marrë me negociatat për rinovimin e kontratës dhe, deri tani, nuk ka arritur një marrëveshje me klubin.

Që do të thotë se në sezonin e ardhshëm nuk është e thënë të veshë sërish fanellën e kuqezinjve. Mbi Sedorfin nuk ka të dhëna kundër tij, por Milani i ri mund të mos i pëlqejë shumë atij. Pse? Sepse gjithçka do të bazohet tek lojtarë më të rinj, pasi drejtuesit kuqezinj kanë mbetur të befasuar nga rritja e dukshme e Gurkufit tek Bordoja dhe tek kombëtarja franceze. Kështu që është e llogjikshme që Milani të bëjë gjithçka është e mundur për ta rikthyer mesfushorin francez në “shtëpi”. Por ekipi francez ka të drejtë të bëjë një ofertë për të blerë përfundimisht lojtarin.

Nëse ata ofrojnë shumën e duhur dhe futbollisti nuk kërkon të rikthehet në Milanelo, atëherë gjithçka merr fund menjëherë. Përndryshe ai do të jetë Sedorfi i ri. Por në qarkullim është edhe një lojtar tjetër me karakteristika të ngjshme, që pëlqehet shumë nga klubi milanist.

Bëhet fjalë për Rikardo Montolivon, lojtar që Fiorentina e konsideron të pashitshëm. Dhe 15 milion euro, kaq vlen Montolivo, është një ofertë e rëndësishme. Mungon ndërkohë një regjizor/mbrojtës. Vetëm një emër: Palombo. I cili nuk është shumë i ri, por as i vjetër, dhe luan shumë mirë në këto dy pozicione.

SULMUESI ME PESHE - Në fund sulmuesit, ku përpjekjet për të mos harxhuar shumë janë të komplikuara. T’i marrim gjërat me radhë: Pato dhe Kakà nuk preken, Shevçenko do të largohet sërish, Ronaldinjo është në dyshim (në rast ofertash të pranueshme është e vështirë që Milani të thotë jo) dhe Borrielos do t’i jepet një mundësi tjetër.

Mbetet jashtë Inzagi dhe është e vështirë për t’u kuptuar se çfarë mund të ndodhë. Një gjë është e sigurt, diçka duhet të futet tek arkat e Milanit, përndryshe do të bëhet e vështirë gjetja e shumës, që duhet investuar për të marrë një sulmues të rëndësishëm. Edhe pse, në repartin ofensiv, sulmuesit që mund të bëjnë diferencën janë të paktë dhe kushtojnë shumë. Ja emrat e tyre: Eto (Barcelona kërkon Benzemanë), Adebajor (edhe ai në shënjestrën e katalanasve) dhe Drogba. Çmimi: 30 milion. Të tjerë në qarkullim nuk ka. Dhe ky është problemi më i madh. Të rindërtosh një skuadër pa shpenzuar shumë dhe pa lojtarë të mëdhenj në qarkullim.