03 mars 2009
Krujf tregohet i ashpër me Realin
Johan Krujf ka folur me tone të ashpra për Realin e Madridit, duke deklaruar se është një ekip që përpiqet vetëm të përfitojë nga gabimet e të tjerëve, e që për rrjedhojë s’janë aq të fortë sa Barcelona. Legjenda e futbollit holandez ka shprehur gjithashtu mospëlqimin e tij edhe për formën aktuale të Barçës. Megjithatë, ai mendon se loja efektive, por pa spektakël, nuk i shkon aspak përshtat një ekipi si Reali. Madrilenët kanë shkurtuar diferencën në 4 pikë me kryesuesit e kampionatit. Prapëseprapë Krujf përsëri mbetet i bindur se Barcelona është një skuadër më e fortë. “Padyshim që Reali ka një ecuri pozitive, por unë gjithmonë pres më shumë prej tyre, e jo vetëm që të përfitojnë nga gabimet e të tjerëve, - ka thënë Krujf. - Për mendimin tim, Barcelona është ekipi më i mirë. Janë disa gjëra, të cilat duhet të përmirësohen që të evitohen gabime të tjera. Por mbi të gjitha, ata duhet të rigjejnë besimin në vetvete dhe të fillojnë të fitojnë përsëri. Të mërkurën do të jetë Barcelona ajo që do të ndeshet me Majorkën për një vend në finale të Kupës së Spanjës dhe jo Reali”, theksoi ai. Pasi u mposhtën në “El Clasico” në dhjetor, ata kurrë nuk e menduan se do të kishin mundësi ta arrinin Barcelonën. Mirëpo tani statistikat flasin ndryshe dhe futbolli mund të jetë i tillë. “Ata përforcuan mbrojtjen, por dyshoj se gëzimi i vetëm i ardhur prej fitoreve ka qenë rezultati dhe jo loja”. Duke parë përmbysjen që i bëri Atletiko në fundjavë, Krujf mendon se duhen bërë rregullime në mbrojtje dhe se portieri Viktor Valdesh nuk është i vetmi që duhet fajësuar. “Nëse sulmuesit nuk shënojnë dhe mbrojtësit ia dhurojnë topin kundërshtarit, atëherë është e pamundur të fitosh. Deri tani shënimi i tre golave për ndeshje siguronte fitoren. Kjo do të thotë se po bëhen gabime që më parë nuk bëheshin”, përfundoi legjenda holandeze, i cili ka qenë pjesë e skuadrës së Barcelonës, e cilësuar si “ekipi i ëndrrave”