03 mars 2009

Inter-Roma, polemika pa mbarim

Tashmë është e pa shmangshme: kur luhet ndeshja Inter- Roma, polemikat nuk mungojnë. Edhe kësaj radhe nuk është bërë përjashtim për këtë “rregull”, që e ka kaluar në plan të dytë rezultatin e ndeshjes dhe problemet e Interit. Zikaltrit e Murinjos kanë pasur shumë vështirësi në sfidën e së dielës në mbrëmje në “San Siro”, për shkak të problemeve të rishfaqura në repartin e mbrojtjes dhe si pasojë e mungesës së Ibrahimoviçit, gjë që ka ndikuar në rezultatin e arritur nga skuadra. Por, si gjithmonë, polemikat janë ndezur rreth gjyqtarëve, duke filluar nga Luçiano Spaleti, i cili ka deklaruar: “Ju duket vërtet rastësi që pas katër ndeshjeve të fundit që kemi zhvilluar ndaj Interit, pyetjet e para që më janë bërë nga gazetarët kanë pasur të bëjnë me gabimet e gjyqtarëve?”. Ndoshta nuk është thjesht rastësi. Është fakt që në katër ndeshje të luajtura në “San Siro”, Roma është larguar pa asnjë fitore dhe gjithmonë e më e zemëruar për gabimet e gjyqtarëve në dëm të saj. Të dielën ka qenë pikërisht një penallti e dhënë për Balotelin, që i ka dhënë shkas polemikave.

Morati
Por Masimo Morati, presidenti i zikaltërve, nuk është aspak dakord me të gjitha protestat e bëra. “Për mendimin tonë, penalltia ishte e saktë dhe e drejtë, sepse ndaj Balotelit u shkaktua faull, – ka deklaruar Morati, i cili më pas ka shtuar: – Më është dukur me të vërtetë e pabesueshme siguria, me të cilën është kundërshtuar ky vendim. Prandaj, le të mos diskutojmë më, sepse kjo gjë do të përfundojë gjithmonë me njërin që thotë diçka e me të tjerët që thonë diçka krejt tjetër. Gjithnjë ndodh të ketë polemika, sepse në futboll duhet të ketë edhe nga këto gjëra. Por ndoshta unë nuk e mendoj si të tjerët, kështu që nuk dua të merrem më me këtë debat”. Më pas, Morati ka bërë edhe një koment për ndeshjen: “Unë besoja te barazimi, edhe pse e filluam shumë keq takimin. Ndërsa pjesa e dytë ka qenë më e mirë, ku lojtarët tanë nxorën në pah karakterin e tyre. Duhet të tregohemi më të kujdesshëm dhe të fillojmë një ndeshje me më shumë përqendrim, në mënyrë që të mos hipnotizohemi nga loja e skuadrës kundërshtare”. Presidenti i Interit ka bërë një koment edhe për gjestin e Balotelit, i cili menjëherë pasi shënoi golin, iu drejtua tifozëve të Romës me gisht, duke u thënë të pushonin. “Gjesti i Balotelit? Mario kështu është...”, ka deklaruar Morati i cili refuzon kategorikisht t’i tërheqë vëmendjen sulmuesit për sjelljen e tij. “Është qortuar shumë herë nga disa televizione dhe nga drejtuesit e Romës, prandaj mendoj se mund të mjaftojë me kaq”, ka thënë në fund ai.