JUVELIVE

27 mars 2009

Ibra drejt Barçës, Morati: Vetëm fjalë

Kënga “Ibrahimoviç te Barcelona” mund të jetë numri një në top-listën e merkatës së verës dhe menaxheri i sulmuesit të Interit, Mino Raiola, nuk tërhiqet prapa për të shpjeguar arsyet që gjithsesi po e nervozjnë klubin e Interit: “E kujt nuk do t’i pëlqente të luante te Barcelona, - theksoi Raiola, përfaqësuesi i suedezit, autor i të njëjtave deklarata edhe në javën e shkuar. - Barcelona ka qenë gjithnjë një klub i shkëlqyer, madje më shumë se një klub, mund të përcaktohet një institucion. Skuadra luan një lojë spektakolare dhe ka një tifozeri fantastike. Pa llogaritur pastaj bukurinë e qytetit…”. “Është e qartë, - përfundoi Raiola, - që lojtarët e mëdhenj, Barcelona i pëlqen. Ibrahimoviç, mes Premier Ligës dhe Ligës spanjolle, do të zgjidhte sigurisht këtë të dytën”. Një deklaratë që përgënjeshtron atë të dy ditëve më parë, ku menaxheri i lojtarit interist, pohonte se Ibra do të qëndronte te Interit dhe se vetëm Maksuelli (i përfaqësuar nga Riola edhe ky) do të largohej. Nga Spanja vijnë zëra se nëse Ibra shkon te Barcelona, te Interi është gati të vijë Samuel Eto. Por nuk kanë munguar deklaratat e presidentit zikaltër Masimo Morati, duke iu referuar fjalëve të menaxherit të sulmuesit suedez: “Më pëlqejnë fjalët e Raiolës, - tha Morati, - para së gjithash sepse më duket se është e vërtetë, pavarësisht nga ndonjë mendim i kotë”. Ndërsa mbi mundësinë që Xhenoa mund të shesë Militon, presidenti pohon: “Të gjitha skuadrat kërkojnë gjithnjë që të jenë të gatshme të blejnë, sikundër dhe ne”. Ndërsa për sa i takon festës së Adrianos në Brazil, Morati ia preu shkurt: “Jam ai që merrem më pak se të tjerët me këto gjëra, duhet t’i lexoj në shtyp, por nuk besoj se është ndonjë gjë e veçantë. Megjithatë për momentin as që më bëhet vonë”.