03 mars 2009

Hanri vazhdon të jetë optimist

Tierri Hanri vazhdon të tregojë formën e tij të mirë me shënimin e një dopiete kundër Atletikos së Madridit në fundjavë. Por që në fakt nuk shërbeu shumë, pasi skuadra pësoi një humbje spektakolare 4-3. Kjo është humbja e dytë radhazi në kampionat për Barçën, megjithatë Hanri përpiqet t’i japë kurajë ekipit për të lënë pas rezultatin zhgënjyes dhe që të ecë përpara. “Askush nuk dëshiron që të humbasë, por është e rëndësishme që ta harrojmë ndeshjen me Atletikon, të përqendrohemi te Kupa e Mbretit dhe më pas të mendojmë për të fituar sërish në kampionat, - thotë sulmuesi. - Nesër është një ditë e re. Tani duhet të përqendrohemi që të mposhtim Majorkën dhe të shkojmë në finalen e Kupës. Unë nuk besoj se problemi është që ne jemi të lodhur. Përgatitja fizike s’ka të bëjë fare me rezultatet e fundit. Unë personalisht ndihem në formë të shkëlqyer”, përfundon Hanri. Barcelona tani udhëheq me vetëm 4 pikë ndaj Realit, kur para 1 muaji diferenca ishte 12 pikë.