JUVELIVE

03 shkurt 2009

Te kuqezinjtë plas çështja “Ronaldinjo”

Fitorja ndaj Lacios i ka dhënë mundësi Milanit të arrijë vendin e dytë në renditje. Kuqezinjtë, tani janë vetëm 6 pikë larg Interit, me të cilin do të përballen pas dy javësh. Por edhe pse Milani fiton, Ronaldinjos duket sikur pankina e katërt radhazi nuk i ka pëlqyer shumë. Mesfushori brazilian tashmë ndihet tepër i mërzitur. Administratori kuqezi, Adriano Galiani, i pyetur mbi mos impenjimin e brazilianit, ia lë gjithçka në dorë teknikut kuqezi: “Nuk mund t’ia lejojmë vetes të humbasim një lojtar si ai. Ky është një problem, të cilin duhet ta zgjidhë Ançeloti”. Për momentin, tekniku kuqezi po luan me Kaka e Sedorf pas shpatullave të Patos dhe rezultatet po i japin të drejtë: “Ronaldinjo po sillet në një mënyrë inteligjente – ka bërë të ditur Ançeloti –. Ai ka qenë një lojtar i rëndësishëm për ne gjatë fazës së parë, duke shënuar shumë gola vendimtarë dhe jam i sigurt se do të jetë akoma më i rëndësishëm në të ardhmen. Sigurisht që për t’i liruar vendin atij, duhet të lë në stol ndonjë lojtar tjetër, por për momentin të gjithë po luajnë shumë e mirë e skuadra po fiton”. Ndërkaq, duket sikur “Dinjo” pret ardhjen e menaxherit të tij, Roberto De Asis, për të diskutuar të ardhmen me Milanin. Ka zëra që thonë se është gati të përgatitë valixhet për t’u larguar nga Milano. Aq sa madje, anglezët e Mançester Sitit do ta prisnin krahëhapur.