03 shkurt 2009

Ranieri: Duam të kalojmë turin në Kupën e Italisë

Tekniku i Juventusit, Klaudio Ranieri, e sheh me mjaft rëndësi ndeshjen me Napolin për çerekfinalet e Kupës së Italisë. Kjo është ndeshja e fundit për këtë tur, pasi tre ndeshjet e tjera janë luajtur më parë. Ndeshja është parashikuar për t’u luajtur nesër në orën 20:45 në stadiumin “San Paolo” të Napolit. “Kupa e Italisë ka një rëndësi të veçantë për ne, sepse, siç e kam thënë shumë herë, ne duam që të bëjmë paraqitje të mira në të gjitha kompeticionet dhe t’u shkojmë deri në fund të gjithave, -deklaron Klaudio Ranieri. Kjo e nesërmja është një ndeshje mbijetese, dhe ne jemi të përgatitur plotësisht për ta fituar atë”.Përballjet e këtij turi janë vetëm me një takim, dhe skuadra që do të fitojë nesër do të përballet në gjysmëfinale me Lacion. Çifti tjetër gjysmëfinalist është ai mes Interit dhe Sampdorias.