Dyshimet e Karlo Ançelotit, para dhe pas barazimit me Xhenoan duket se janë shtuar. Gjendja fizike e lojtarëve, problemet në mbrojtje dhe paaftësia për të mbyllur ndeshjet, janë disa gjëra që dihen, por me kalimin e ditëve duket se janë shtuar edhe të tjera. Të provojmë t’i shohim më nga afër dhe me detaje.1. Milani nuk është se po varet nga Bekhami?
Jo, edhe pse është e lehtë të shihet se me përfshirjen e anglezit, skuadra nuk ka humbur më dhe luan shumë mirë. Të
mërkurën anglezi doli nga fusha për dëmtim me Milanin në epërsi, por kjo është një rastësi. Përfshirja e Bekhamit në ekip është e rëndësishme, ai luan me përulësi dhe nuk është hija e askujt. Aty ku ka shumë “zonja të para”, duhet bërë ndonjë hap prapa dhe ai me inteligjencë e ka kuptuar menjëherë.
2. Është e drejtë të luajë Ronaldinjo me pjesë, siç bëhej në fund me Altafinin? Ronaldinjo është vetëm 28 vjeç.
Problemi i Ronaldinjos është shumë i rëndësishëm dhe nuk është i lehtë të zgjidhet, duke e mbajtur në stol. Dinjo u përfshi shpejt dhe me lehtësi në grup, u bë i pazëvendësueshëm, pastaj pësoi një moment jo të mirë, që rastisi edhe më çështjen “Kakà”. Nëse luajnë të dy njëkohësisht, është mënyra më e mirë për të shuar dyshimet mbi papajtueshmërinë e tyre, por nëse Ronaldinjo nuk arrin shkallën e duhur të formës, është e vështirë që të ndodhë. Siç përsëritet shpesh nga protagonistët, moduli me shumë yje praktikohet nëse të gjithë vrapojnë.
3. Sedorf në “San Siro” kundërshtohet nga tifozët?
Sedorfi ka një personalitet të fortë dhe një gjendje shpirtërore mjaft të ndjeshme për të duruar vërshëllimat, siç pranoi pak ditë më parë se ndihet tepër i kritikuar. Gjendja e tij ndryshon nga ajo e Ronaldinjos, që duket më efikas dhe i sigurt në barin e “San Siros”.
4. Zëvendësimet e Ançelotit, a janë gjithnjë efikase? Ka kuptim të lihet gjithnjë në stol Shevçenko?
Zëvendësimet gjatë ndeshjes me Xhenoan, befasuan shumë njerëz, por për sa i takon Shevës, zgjedhjet e Ançelotit janë bërë prej kohësh dhe ukrainasi është i pari që e di: Pato po rritet dhe “studion” si sulmues i parë. Sheva mund të jetë i vlefshëm në disa ndeshje (ndoshta edhe kundër Xhenoas, në fund), por e ka kuptuar që vendi i tij për momentin është Kupa UEFA. Dhe ka meritën që nuk polemizon me asnjë.
5. Pas pak javësh Bekhami duhet të largohet dhe në këtë periudhë Flamini ka dalë në plan të dytë. Nuk është një rrezik?
Një rrezik i llogaritur, duke parë cilësinë e Bekhamit dhe personalitetin e Flaminisë. Djaloshi u përfshi mirë në grup, ndryshe nga Gurkufi dhe problemi i tij te Milani është tekniko-taktik, i lidhur me rolin e tij në fushë dhe nga moduli që përdor Ançeloti. Pavarësisht nga ajo që do të vendosë Bekhami, Flamini është një mesfushor ndryshe dhe është nëntë vite më i ri se Bekhami. Janë konsiderata që trajneri nuk mund të harrojë t’i bëjë. Flamini është një lojtar i Milanit në të gjitha kuptimet, Bekhami për momentin jo. Ançeloti ka deklaruar shpesh se e çmon dhe beson te ai për të ardhmen, ndaj ndonjë pjesë ndeshjeje më shumë, do ta shtonte përmirësimin e tij.