Rikuperim pikësh dhe kampionësh. Plani i betejës së Juves, disa herë i valëvitur nga Ranieri për të luajtur për titullin dhe për të boshatisur infermierinë e mbushur bardhezi, ndryshoi brenda katër ditësh. Kohë në të cilën ka pësuar dy humbje radhazi ndaj Udinezes e Kaljarit, por sidomos ka humbur dy lojtarë të rëndësishëm, si Zaneti e Kielini në një goditje të vetme. Dy probleme të mëdha, që shtojnë dyshimet mbi administrimin e të dëmtuarve, përderisa të dy sapo ishin rikuperuar pas mungesave të gjata. Presidenti Koboli Xhili ka reflektuar mbi këtë çështje: “Dëmtimet janë të shumta, disa kanë kaluar në histori”. Ndërsa stafi juventin ka arsyetuar me maturi: “Kristiano Zaneti ndjeu një therje në fibrën e kofshës së majtë – ka komentuar Rikardo Agrikola, përgjegjës i stafit mjekësor -, por ky është një dëmtim që nuk ka të bëjë aspak me atë të mëparshmin. Të shohim se çfarë do të na thotë rezonanca magnetike”. Megjithatë, Juvedo të humbasë për 45-60 ditë një lojtar të saporikthyer nga një pauzë 4-mujore, për një problem në këmbën e djathtë. Tashmë, sezoni i mesfushorit është në rrezik e jo më kot trajneri Ranieri është shprehur i shqetësuar: “Dëmtimi i Zanetit më duket më shqetësues. Poulsen e Tiago
janë në fazë rikuperimi, tani duhet të shpejtojnë”. Dëmtimi i Kielinit duket më pak i rëndë, por
gjithsesi gjendja e tij është delikate, i cili ndaj Kaljarit luante ndeshjen e parë të vitit 2009, pas mungesës prej 5 takimesh. “Ndjeu lodhje të muskulit të kofshës së majtë – ka shpjeguar Agrikola – dhe për të mos rrezikuar, preferoi të dilte”. Sidoqoftë, do të bëjë sërish një pushim prej 15 ditësh dhe mund të mos jetë në formë kundër Çelsit, më 15 shkurt. Për këtë arsye, Juve ka vlerësuar edhe ndërhyrjen e mundshme në merkato për një mbrojtës. Ranieri ka pasur një përballje me klubin për Panuçin, i cili mund të mbulonte disa role të mbrojtjes, por marrëdhëniet jo të mira me Ranierin te Çelsi në vitin 2000 dhe kërkesat e mëdha ekonomike bllokuan operacionin. U propozua edhe braziliani Kribari, por laciali nuk duket se e ka bindur Ranierin. Për disa orë ka pasur një interesim për të riun e Askolit, Belushi, por bardhezinjë e kanë konsideruar të lartë vlerësimin prej 5 milionë eurosh.