03 shkurt 2009
“Dua që Lionel Mesitë argëtohet në fushë”
Legjenda e futbollit argjentinas dhe trajneri i kombëtares, Diego Armando Maradona vazhdon të jetë i përqendruar te situata e yllit të tij, Lionel Mesit. Ky i fundit vazhdon të shkëlqejë në mënyrë të padiskutueshme me Barcelonën dhe Maradona nuk i ka kursyer edhe këshillat. “Dua që Mesi ta përjetojë çdo moment kur është duke luajtur. Ka shumë rëndësi që ai të zbresë në fushë për t’u argëtuar, pasi aspekti moral i jep edhe ngjyrë lojës së futbollistit. Nëse futet në fushë për t’u argëtuar, ai do shkëlqejë, pasi ka aftësi të jashtëzakonshme. Ai është një lojtar i shkëlqyer, i cili mund të bëjë diferencën ndaj çdo kundërshtari dhe në çdo moment”, tha Maradona. Ky i fundit ka këshilluar disi edhe trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiolën, përsa i përket pozicionit të duhur të Mesit në fushën e lojës. “Lionel duhet të luajë në krahun e djathtë. Ai driblon më mirë në atë pozicion dhe mbi të gjitha, ka shansin për të shfrytëzuar këmbën e majtë në goditje. Është më efektiv në atë pozicion dhe e ka treguar këtë shumë qartë”, tha trajneri i Kombëtares së Argjentinës. Mesi hyri si zëvendësues në ndeshjen e fundit të Barcelonës dhe në pak minutat që pati në dispozicion, shënoi dy herë, duke përmbysur edhe avantazhin që kishin krijuar kundërshtarët e Santanderit.