JUVELIVE

12 tetor 2008

“Zonja Vjetër” bën gati listën e shpenzimeve

Juventusi dëshiron të përforcohet me çdo kusht gjatë merkatos së janarit, duke u kushtëzuar edhe nga dëmtimet e shumta që po e persekutojnë skuadrën. Drejtori sportiv i Juventusit ka filluar punën që në merkaton e janarit për të marrë në ekip Ivanoviçin, Hoakin dhe Ebouen. Mesfushori 25-vjeçar, Emanuel Eboue, luan me Arsenalin si në qendër të mesfushës, ashtu edhe në krah. Sipas lajmeve që vijnë nga Spanja, “Zonja e Vjetër” përveç Eboues, kërkon të marrë edhe Hoakin, i cili te Jueventusi shikohet si trashëgimtari i denjë i çekut Pavel Nedved. Ndërsa përsa i përket mbrojtjes, bardhezinjtë synojnë të marrin nga Çelsi mbrojtësin serb Ivanoviç. Këta janë objektivat e parë të “Zonjës së Vjetër”, ndonëse mesfushori i Interit, Stankoviç dhe mbrojtësi Burdizo vazhdojnë të jenë nën vëzhgim.