JUVELIVE

13 tetor 2008

LAJMET NEWS 13.10.2008


Torres: Katër ekipet angleze, janë më të mirat në Evropë
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, llogarit se katër ekipet më të mira në Angli mund të jenë edhe më të mira në Evropë.
Spanjolli, i cili pas triumfit në Euro 2008 dëshiron edhe më shumë trofe, llogarit se Liverpooli është në mesin e katër ekipeve më të mira në Evropë, ndërsa këtë vit mund ta fitojë Premierligën. “Mendoj se mund ta fitojmë Premierligën dhe Ligën e Kampionëve. Arsenali luan një futboll të shkëlqyeshëm, Liverpooli dhe Chelsea janë ekipe të vështira për t’u përballur, ndërsa Manchester United luajti në mënyrë fantastike sezonin e kaluar”, ka thënë spanjolli. “Të gjitha ekipet kanë stil të ndryshëm të lojës, por janë njëjtë të suksesshëm. Mendoj se katër ekipet më të mira në Angli janë edhe më të mirat në Evropë”, shton ai.

Anglezët nuk dëshirojnë të luajnë në Madrid
Përfaqësuesja e Anglisë në futboll është e gatshme të luajë ndeshje miqësore me Spanjën gjatë vitit të ardhshëm, por nuk dëshiroj që ndeshja të zhvillohet në Madrid për shkak të parullave raciste në të kaluarën.
Disa lojtarë anglez në vitin 2004 ishin cak i skenimeve raciste në Bernabeu, ndërsa Asociacioni i Futbollit është i bindur se ndeshja duhet të luhet në një stadium tjetër. “Për momentin jemi në negociata me Federatën Spanjolle, rreth ndeshjes me kampionin e Evropës në Spanjë, në muajin shkurt. Kjo ndeshje është një miqësore të cilën e kërkon Fabio Capello. Por, ende nuk është caktuar stadiumi dhe duet të nënshkruhet marrëveshja”, ka thënë Adrian Bevington. “Por FA dhe Fabio Capello janë pajtuar se ndeshja nuk duhet të luhet në Madrid, për shkak të incidentit me ofendime raciste në ndeshjen e fundit. Fabio në tërësi e mbështet këtë ndeshje”, shton më tej drejtori për komunikime në Federatën Angleze të Futbollit.

Cannavaro dëshiron të rinovojë kontratën me Realin
Mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, thotë se është i qetë rreth vazhdimit të ri të marrëveshjes, dhe dëshiron të luajë në Bernabeu edhe në sezonin e ri.
“Dua ta ripërtëri marrëveshjen me Real Madridin. Jam shumë i qetë dhe dua që t’i filloj negociatat me klubin para fundit të vitit”, ka thënë Cannavaro. “E gjithë bota e di se dua të nënshkruaj marrëveshje të re dhe se nuk dua të largohem. Jam i lumtur në Real dhe familja ime ndjehet mirë në Madrid”, ka shtuar kapiteni i kombëtares italiane. Mbrojtësi 35-vjeçar, u përfol për një rikthim tek klubi i tij i vendlindjes, Napoli, por duket se ai do të vazhdojë të mbetet tek kampioni i Spanjës së paku edhe për një sezon, pasi edhe trajneri Bernd Schuster, dëshiron ta mbajë atë.

Hleb përfundimisht jashtë përballjes me Anglinë
Mesfushori bjellorus, Alexandr Hleb, nuk do të rreshtohet në formacionin e kombëtares së tij, e cila të mërkurën do të përballet me të zgjedhurit e trajnerit Fabio Capello në Dinamo Stadium në Minsk. Përzgjedhësi i Bjellorusisë, Bernd Stange, ka konfirmuar se mesfushori me tipare sulmuese nuk ka arritur të rikuperohet në kohë nga lëndimi në gju. “Hleb është në Barcelonë dhe problemi ynë më i madh është se lojtari jonë më i mirë nuk mund të luajë”, ka thënë Stange. Në ndeshjen e fundit ndaj Kazakistanit, Anglia fitoi bindshëm me rezultat 5-1, derisa Bjellorusia gjatë vikendit ishte e lirë.

Oddo beson se Lazio mund të mbetet në krye
Ish-kapiteni i Lazios, Massimo Oddo, thotë se biankocelestët mund të mbeten afër kreut të tabelës së Serie A gjatë gjithë sezonit.
Oddo, i cili këtë sezon u huazua tek Bayern Munich nga Milani, është i bindur se Lazio mund të vazhdojë formën e mirë për shumicën e sezonit. “Duket se Lazio është një ekip më ndryshe, në krahasim me kohën kur unë isha atje. Aty është një trajner i cili mëson futboll të shkëlqyeshëm dhe ka një ekip të bërë nga lojtarë të rinj dhe atraktiv”, ka thënë Oddo. “Lazio e sotme sigurisht që mund të përfundojë në pozitat më të larta. Skudetoja? Nëse ky është mentaliteti i tyre... është shumë e mundshme”, ka shtuar italiani.

Schuster: Ronaldo është prioriteti kryesor i jonë
Trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, ka bërë thirrje tek drejtuesit e klubit të bëjnë gjithçka për të sjellë Cristiano Ronaldon nga Manchester United gjatë verës së ardhshme.
“Ai duhet të jetë prioriteti im numër 1. Do të pres që Real të bëjë gjithçka në fuqinë e tij të sjellë tek unë Cristianon”, ka thënë Schuster. “Nëse United kërkon 90 milionë euro, ne do të paguajmë. Nëse ofron më pak nuk do ta marrësh. Do të kërkoj nga klubi të paguajë aq sa kërkon United”, ka shtuar gjermani. Real Madridi tentoi të sjellë portugezin edhe gjatë kësaj vere, që ishte saga më dominante në mediat sportive, por nga kjo nuk doli asgjë.

Zbulohen prapaskenat e dështimit në Hungari
Kuman, ja si nxënësi e mundi mësuesin Ari Han Humbja 2-0 përballë një kundërshtari direkt i objektivave tona në këtë eliminatore të Botërorit 2010, siç ishte Hungaria, ka lënë një shije të hidhur në opinionin sportiv shqiptar. Një gjë e tillë u ka prerë krahët të gjitha fantazive, të atyre që guxuan qoftë edhe për një moment të vetëm të mendonin se Shqipëria mund të bëjë diçka më ndryshe, më të bukur në këto eliminatore. Ndërkohë që triumfi ndaj kuqezinjve i ka dhënë krahë rivalit tonë, Hungarisë, e cila dje ka glorifikuar atë fitore 2-0, duke ia atribuuar trajnerit të saj, holandezit Ervin Kuman, atij që fitoi "derbin" me bashkëkombësin e tij Ari Han. E thënë ndryshe, nxënësi i urtë Kuman mundi mësuesin e tij Han. Pikërisht kjo është ajo që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në stadiumin "Ferenc Pushkash" të Budapestit. A ishte vërtet meritë e trajnerit të hungarezëve triumfi ndaj kuqezinjve? Pikërisht këtë tentoi të vërtetojë dje shtypi hungarez, i cili ka ngritur në qiellin e shtatë Ervin Kumanin. Gazetat vendase shkruajnë se protagonisti kryesor i ndeshjes është padyshim tekniku holandez, i cili atë që nuk bëri gjatë 5 ditëve e bëri gjatë pushimit mes dy pjesëve. E përditshmja "168 Ora" ka zbuluar në faqen e saj një pjesë se çfarë ndodhi në dhomat e zhveshjes, në ndërprerjen 15 minutëshe të pushimit dhe pse djemtë e Ervin Kumanit ndryshuan gjithçka në 45 minutat e dyta. "Nuk kemi pse të frikësohemi nga Shqipëria. Ne luajmë në shtëpinë tonë dhe kemi mbështetjen e tifozëve, duhet të ecim përpara dhe jo të presim, pasi vetëm kështu mund të fitojmë", shkruhej në këtë gazetë. Pikërisht kjo ndërhyrje e trajnerit Kuman i karikoi hungarezët, të cilët ngritën ritmin e lojës dhe zhbllokimi i rezultatit nuk vonoi më shumë se katër minuta. Por që të arrinim deri këtu do të duhej të gabonte Shqipëria dhe ajo atë bëri. Për një moment besoi se mund të zotëronte lojën dhe me dëshirën për të gjetur golin, la hapësira prapa. Në sulmin e dytë Hungaria shfrytëzoi përgjumjen e një mbrojtjeje të pa rreshtuar mirë dhe Torghelle shënoi në minutën e 49. Ky moment rezultoi vendimtar për rrjedhën e ndeshjes. Edhe në golin e dytë u përsërit i njëjti defekt. Gazeta "168 Ora" nuk ka lënë pa përmendur edhe traversën e Ervin Skelës në pjesën e parë. Sipas tyre, nëse ajo gjuajtje do të ishte gol, sot mund të ishin shqiptarët duke festuar dhe jo hungarezët. Sfida e së shtunës mes Hungarisë dhe Shqipërisë, ose ndryshe përballja mes dy trajnerëve holandezë, ka zënë një vend të veçantë edhe në mediat holandeze. Kryeartikulli i sportives "Sportweek" është: "Kuman i tregon Ari Hanit se si fitohet. Në shkrimin e kësaj gazete theksohen aftësitë e ‘nxënësit‘ për të menaxhuar skuadrën taktikisht, gjë që solli edhe fitoren e tij të parë në aktivitetet ndërkombëtare". Batuta"Nuk kemi pse të frikësohemi nga Shqipëria", u tha Kuman në pushimin e ndeshjes. "Ne luajmë në shtëpinë tonë dhe kemi mbështetjen e tifozëve, duhet të ecim përpara dhe jo të presim, pasi vetëm kështu mund të fitojmë"

Besart Berisha shndërrohet në një çështje kuqezi
Hodhi fanellën, iku nga stoli Besart Berisha është shndërruar tashmë në një çështje për kombëtaren kuqezi. Sulmuesi kosovar ka reaguar ashpër të shtunën në mbrëmje, duke shfaqur hapur pakënaqësitë e tij për zgjedhjet që ka bërë trajneri Ari Han në momentin e zëvendësimeve ndaj Hungarisë. Berisha, i cili ishte ngritur në nxehje, ka parë që trajneri Han nuk ia besoi atij ndërrimin e tretë dhe të fundit në minutën e 70, duke futur Ervin Bulkun në vend të të dëmtuarit Jahmir Hyka. Sulmuesi shqiptar i Rosenborgut nuk e ka përmbajtur dot më veten dhe ka reaguar i revoltuar. Ka flakur fanellën e kombëtares në drejtim të stolit dhe është larguar përpara përfundimit të ndeshjes, drejt dhomave të zhveshjes. Madje, burime nga Budapesti bëjnë të ditur se futbollisti as nuk ka darkuar me ekipin në restorantin e hotelit. Edhe pse paksa më i qetë pasi kanë kaluar disa orë nga përfundimi i ndeshjes, një gjë të tillë Berisha e ka bërë të njohur në deklaratën që ka lëshuar: "Unë dua të respektoj vendimin e trajnerit dhe luaj për kombëtaren", ka nënvizuar Berisha. "Kombëtarja është gjëja më e rëndësishme që kam dhe sigurisht që e dua atë. Mendimi im dhe i shumë të tjerëve është që të luaj nga fillimi". Më pas ai ka lënë të kuptohet se trajneri holandez po aktivizon shumë futbollistë që nuk luajnë në kampionatet e tyre, ndërkohë lë jashtë saj disa të tjerë, të cilët gëzojnë formë të mirë, edhe në skuadrat ku ata militojnë. "Ka shumë, nuk ka nevojë që t‘ju them emra të përveçëm, megjithatë mendoj që unë duhet të luaj. Sigurisht që nuk bëj polemika me trajnerin, ai e di vetë, por derisa luaj në klub, pse mos të luaj edhe në përfaqësuese. Dua që të kem mbështetje nga trajneri". Ky nuk është rasti i parë i "erës" Han, pasi ka zëra se edhe portieri Ilion Lika, i cili ka kërkuar të mos grumbullohet, e ka nxjerrë vetëm si pretekst dëmtimin e tij, por në fakt ai është i zhgënjyer, pasi Han e la në tribunë ndaj Suedisë dhe Maltës.

Cana, Vangjeli e Hyka,në dyshim për dëmtime
Dështimi ndaj Hungarisë, përveç komplikimit të rivalitetit për vendin e katërt në Grupi 1 të eliminatoreve të Botërorit 2010, duket se do të ketë një kosto edhe më të lartë për përfaqësuesen e Shqipërisë. Kjo, për shkak të lojës së ashpër, që u zhvillua në 90 minutat e sfidës së luajtur në stadiumin e "Ferenc Pushkash". Mbrojtja tashmë duket se do të jetë një repart i emergjencës, për shkak të skualifikimeve dhe dëmtimeve. Kartoni i verdhë, i marrë nga Dallku, do t‘i kushtojë këtij të fundit pezullimin për ndeshjen ndaj luzitanëve në Braga. Por, përveç tij, në takimin e së shtunës ka pësuar një dëmtim edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Kristi Vangjeli. Sipas burimeve pranë kombëtares, lojtari shqiptar i Arisit të Selanikut ka pësuar një dëmtim të rëndë në rrëzë të kofshës. Pas ndeshjes Vangjeli ka demonstruar vështirësi edhe në ecje. Por infermieria e kombëtares do të ketë më shumë punë. Kjo, për faktin se në të kanë përfunduar edhe mesfushorët Lorik Cana dhe Jahmir Hyka. Dëmtimin e Canës e ka komentuar si të rëndë vetë trajneri Han. Ndërsa Hyka, i cili u fut zi zëvendësues dhe la lojën i detyruar në minutën e 70, ka pësuar një dëmtim në kavilje. Megjithatë do të duhet të presim vendimin e stafit mjekësor të kuqezinjve, të cilët do të vlerësojnë gjendjen e lojtarëve para ndeshjes me Portugalinë.


Zhgënjimi i Ari Han: Ja ku gabuan lojtarët
Trajneri pohon se lojtarët nuk i zbatuan këshillat e tij
Nga paraqitja jo në nivel e kombëtares sonë në sfidën e konsideruar si më e rëndësishmja për në Grupin 1, nuk kanë ngelur të zhgënjyer vetëm tifozët, por edhe vetë trajneri i saj, Ari Han. Holandezi, pas takimit me Hungarinë, ka shprehur shumë pakënaqësi për lojën që zhvilluan të tijtë, duke sqaruar më pas edhe ku gabuan lojtarët. "Zhvilluam një lojë të mirë në pjesën e parë. E lamë kundërshtarin të krosojë dhe u ndëshkuam. Ishte një pjesë loje e mirë për ne, ku kishte sulme dhe kundërsulme nga të dyja palët. Kur pëson duhet të lëvizësh dhe të ndryshosh, kjo ishte ajo që u bë me zëvendësimet, por skuadra nuk arriti të ndryshojë. Lejuam që të ndëshkoheshim. Sulmi i dytë i kundërshtarëve, e përsëris nuk duhet të përfundonte në gol, por në një goditje këndi. Goditëm shtyllat dy herë dhe duhet të kishim pak më shumë fat. Jam i zhgënjyer se humbëm fillin e lojës dhe nuk arritëm të rikuperonim. Skuadra duhet të zbatojë këshillat e mia".