12 tetor 2008

LAJMET NEWS 12.10.2008


Berisha nuk ka më durim
Besart Berisha, nuk e ka duruar më mënyrën e drejtimit të trajnerit Arie Haan, teksa në minutën e 70-të të ndeshjes, duke parë zëvendësimet e holandezit, është ngritur nga stoli, ka gjuajtur fanellën, në sytë e Haanit dhe ka lënë stadiumin, njofton Sporti Shqiptar.
Mesazhi ka qenë i qartë, për Hanin dhe drejtuesit e federatës. Në kombëtare po luajnë lojtarë që nuk aktivizohen pothuajse fare me klubet e tyre, ndërsa ai e të tjerë, të pathirrur, duhet të mos jenë në fushë, sipas filozofisë së Haanit. Zgjedhjet e gabuara të trajnerit kuqezi u paralajmëruan që para ndeshjes, nga specialistë shqiptarë, sa i përket Duros së dëmtuar, që kishte 4 javë pa u aktivizuar me skuadrën e tij në Qipro, po ashtu Hyka, që s’i ka bërë gjithsej 20 minuta me Mainzin në Bundesliga 2, që pas fitores me Maltën, Bogdani, po ashtu, ndërkohë që lihen jashtë Bylykbashi, lider i padiskutueshëm në kampionatin ukrainas, Memelli, që po merr përpara Tiranën me golat e tij. Mosnjohja e formës fizike të lojtarëve, tregoi se Haani ende nuk është trajner i përshtatshëm për Kombëtaren tonë. Madje, me zgjedhjet e gabuara dhe jo të motivuara profesionalisht, po shkakton probleme edhe brenda lojtarëve. Shpërthimi i Berishës e tregon qartë këtë gjë, por duhen parë pasojat më tej, sepse të tilla marrëdhënie të acaruara mes lojtarëve dhe trajnerit do të ndikojnë patjetër edhe te lojtarët e tjerë kuqezinj.

Quagliarella i ftuar nё vend tё Tonit
Sulmuesi i Udineses, Fabio Quagliarella, ka pranuar ftesё nga përzgjedhësi i kombëtares italiane, Marcelo Lippi, pёr shkak tё suspendimit tё Luca Tonit.
Sulmuesi i Bayern Munichut nё ndeshjen e mbrëmshme përballё Bullgarisё, pranoi karton tё verdhё dhe pёr shkak tё suspendimit, nuk do tё mund tё paraqitet kundër Malit tё Zi. Pёr kёtё arsye, Marcelo Lippi, ka vendosur ta ftojё nё formacion zёvendёs tё tij dhe zgjidhja ishte sulmuesi i Udineses. Pritet qё Quagliarella qё sonte t’i bashkohet pjesës tjetër tё ekipit. Sulmuesi i Udineses ishte pjesё e ekipit tё azurёve nё Euro 2008, por kjo ёshtё paraqitja e parё e tij me përfaqësuesen, qё kur Marcelo Lippi e rimori kreun.

Kontrata me Tevez vihet në dyshim
E ardhmja e Carlos Tevez te Manchester United është vënë në dyshim, pasi që Sir Alex Ferguson në vend se të nënshkruajë një kontratë me argjentinasin, ai dëshiron të nënshkruajë me të riun brazilian, Douglas Costa.
Argjentinasi i është bashkuar Manchesterit nga West Ham në vitin 2007 për një huazim dy vjeçar, por me mundësinë që Djajtë e Kuq ta blejnë atë kur të përfundojë huazimi. Mirëpo deri më tani sulmuesit të spikatur nuk i është ofruar asnjë kontratë. Tevez pati një paraqitje të shkëlqyer me Manchesterin duke iu ndihmuar bashkëlojtarëve për ta fituar Ligën premier dhe Ligën e Kampionëve. Sido që të jetë, sipas “News of the World” trajneri i Manchës, Sir Alex Ferguson, është i vendosur që ta transferojë në Old Trafford 18-vjeçarin brazilian, Costa, i cili aktualisht luan për skuadrën Gremio të Brazilit. Transferimi i brazilianit do të kushtonte afër 20 milionë euro. Kjo do të thoshte se Ferguson duhet të heqë dorë nga Tevez për ta realizuar dëshirën e tij.

Barca cakton çmimin për Toure
Barcelona ka caktuar çmimin prej 10 milionë eurosh për mesfushorin Yaya Toure, ndërkaq Juventus është në vendin e parë për ta rrëmbyer ‘shkatërruesin’ nga Bregu i Fildishtë.
Toure nuk ndjehet mirë te Barcelona dhe raportet e tij me trajnerin Josep Guardiola janë përkeqësuar, kështu që ka kërkuar të largohet nga Camp Nou, kur të hapet afati kalimtar. Gazeta torineze, “Tuttosport”, sot ka njoftuar se udhëheqësit e Barcës kanë vendosur ta lejojnë largimin e Toures nëse ndonjë skuadër paguan 10 milionë euro. Këtë javë është spekuluar se Zonja e Vjetër tanimë ka kontaktuar me agjentin e mesfushorit duke i ofruar një pagë vjetore prej katër milionë eurosh.

Spanja fiton, Rumania dhe Franca ndajnë pikët
Spanja ka shënuar fitore me rezultat 3-0 si mysafire e Estonisë, për ndeshjen e rëndësishme kualifikuese në Grupin e Pestë.
Kampionët e Evropës kaluan në avantazh me anë të Juanitos (31’), ndërsa pas tre minutash dyfishoi golashënuesi më në formë spanjoll, David Villa, duke vënë rezultatin e fundit të pjesës së parë, 2-0. Spanjollët shënuan edhe njëherë në pjesën e dytë me anë të qendërmbrojtësit Carles Pyol (69’), për ta mbyllur më bukur këtë takim. Takimi derbi i Grupit të Shtatë ndërmjet Rumanisë dhe Francës ka përfunduar me rezultat të barabartë, 2-2. Nënkampionët e Botës kanë arritur ta barazojnë avantazhin e vendasve prej dy golash. Petre dhe Goian ia dhanë epërsinë e hershme Rumanisë (5’ dhe 17’), mirëpo Ribery dhe Gourcuff (37’ dhe 69’) ruajtën nderin e Les Bleus duke barazuar shifrat.

Kampionët barazojnë
Kampionët e Botës kanë dështuar të shënojnë fitore në udhëtim si mysafirë të Bullgarisë, ndeshje kjo e rëndësishme për Grupin e Tetë në kualifikimet për Kampionatin e ardhshëm Botëror.
Edhe pse Azzurët kishin paralajmëruar se kjo ishte një ndeshje të cilën duhej ta fitonin nëse dëshironin ta tregojnë fuqinë e tyre, ata nuk arritën të nxjerrin më shumë se një pikë nga ky takim. Me rezultat 1-1 ka përfunduar edhe takimi tjetër i këtij grupi ndërmjet Gjeorgjisë dhe Qipros. Nga ana tjetër edhe takimi i Grupit të Gjashtë ndërmjet Ukrainës dhe Kroacisë ka përfunduar pa gola, gjë që i jep një përparësi Anglisë e cila më herët e shkatërroi Kazakistanin me rezultat 5-1.

Turqia përmbys rezultatin ndaj Bosnjës
Turqia ka arritur të rikthehet në lojë pas disavantazhit prej 1-0 si nikoqir i Bosnjë dhe Herzegovinës, për të shënuar fitore prej 2-1 në fund të ndeshjes.
Boshnjakët kaluan në epërsi në pjesë të parë me golin e Edin Dzeko, që ishte edhe goli i vetëm i pjesës së parë të ndeshjes. Por turqit të vendosur, arritën të rikthejnë rezultatin për të shënuar fitore. Golin e barazimit për Turqinë e shënoi Arda Turan, gjashtë minuta pas fillimit të pjesës së dytë (51’), ndërsa golin e fitores e shënoi Mevlut Erdinc, 15 minuta më pas (66’).

Shqipëria shijon humbjen
Kombëtarja shqiptare ka pësuar humbje në stadiumin "Ferenc Pushkash" në kryeqytetin hungarez, Budapest.
Shqipëria shfaqi lojë më të mirë në pjesën e parë të ndeshjes gjatë të cilës pati dy mundësi të “arta”, madje duke e goditur edhe një herë transversalen. Në pjesën e dytë skuadra vendase u tregua më e përqendruar dhe e dëshironte më tepër golin gjë që e arriti me anë të Torghelle (49’). Vendasit shënuan edhe njëherë Juhasz (82’), duke ia ndërprerë Shqipërisë fillimin pozitiv të këtyre kualifikimeve. Haan u mundua me anë të zëvendësimeve të ndryshojë diçka, por kjo nuk pati sukses përveçse një tjetër transversale e goditur, e cila nuk pati asnjë rëndësi përveç rëndësisë statistikore. Në mesjavë Kombëtarja do ta ketë një tjetër ndeshje të vështirë në udhëtim kundër Portugalisë.