01 tetor 2008

LAJMET NEWS 01.10.2008


Beqaj: Panathinaikosi favorit

Portieri i Kombëtares shqiptare Arjan Beqaj, e ka favorizuar Panathinaikosin në takimin mbrëmjes, kundër të cilëve luan skuadra e tij Anorthosis Famagusta, në kuadër të Grupit B të Ligës së Kampionëve.
“Në këtë takim është favorite skuadra e Panathinaikos. Është një ndeshje shumë e vështirë për ne, pasi që edhe ne edhe ata luajmë për fitore”.
“Ne do të luajmë për një rezultat pozitiv, edhe pse Panathinaikos ka bërë disa investime në përforcimin e skuadrës dhe ka një skuadër kualitative”.
Skuadra e Beqajt në ndeshjen e parë në grupin B arriti t’i bënte ballë Werder Bremenit duke nxjerr një pikë në udhëtim. Ndërsa tani Beqaj pohon se Anorthosis këtë radhë është e gatshme për tre pikë.
“Do të japim gjithçka nga vetja për ndeshjet e radhës, dhe do të shohim se sa larg do të mund të shkojmë. qëllimi ynë për sonte është që ta shënojmë fitoren e parë në grup”, ka përfunduar kosovari 33-vjeçar.
*********************************

Guardiola: Kam respekt për Shakhtarin

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, shpreson që skuadra e tij të bëjë një hap përpara në ndeshjen e mbrëmjes në Ligën e Kampionëve me një fitore kundër Shakhtar Donetsk, mirëpo ai është i vetëdijshëm për rrezikun nga kundërshtarët e tij.
Blaugranët sonte ndeshen me skuadrën ukrainase, Shakhtar Donetsk, në stadiumin RSK Olimpiyskyi, ndërsa Guardiola shpreson se nëse skuadra e tij i fiton tre pikët do të jetë në garë për pozitën e parë në Grupin C.
“Të mërkurën është një test i madh për neve, megjithatë aty e kemi mundësinë të bëjmë një hap të madh për në fazat e mëtutjeshme të Ligës së Kampionëve”.
“Mirëpo, duhet të jemi të kujdesshëm, sepse kam respekt të madh për Shakhtarin. Ata janë një skuadër sulmuese, prandaj do të jetë vështirë të luajmë kundër tyre”, ka thënë Guardiola në konferencën para ndeshjes.
***********************************

Merson: Maldini më i miri me të cilin jam ndeshur

Ylli i dikurshëm i Arsenalit, Paul Merson, ka pohuar se legjenda e Milanit, Paolo Maldini, është lojtari më i madh me të cilin ai është ndeshur ndonjëherë, ndërsa Dennis Bergkamp ka qenë më i miri me të cilin ka luajtur së bashku.
Merson ka pasur një karrierë 20-vjeçare të suksesshme në futboll, ndërsa më së miri është i njohur me skuadrën e Arsenalit ku ka qëndruar nga viti 1985 deri në vitin 1997, ku veç trofeve tjera ka fituar dy kampionate të Anglisë.
“Lojtari më i mirë krahas të cilit kam luajtur ka qenë Dennis Bergkamp. Ndërsa lojtari më i mirë kundër të cilit kam luajtur ka qenë Paolo Maldini”.
“Ne (Arsenali) u ndeshëm me Milanin për Superkupën e Evropës (1995, të cilin Milani e ka fituar me rezultat 2-0). Maldini më markoi mua, ndërsa gjatë gjithë ndeshjes nuk kam arritur të gjuaj asnjë top. Ai ishte thjeshtë i jashtëzakonshëm”, ka përfunduar Merson për “Goal”.
********************************

Cafu: Mund të tërhiqem në janar

Legjenda braziliane, Marcos Cafu, ka njoftuar se do të mendojë nëse dëshiron ta mbyllë karrierën futbollistike në janar të vitit të ardhshëm.
38-vjeçari ka fituar të gjitha kupat e mundshme në nivel klubesh dhe ndërkombëtare. Ai është transferuar nga Roma te Milani në vitin 2003 ku ka kaluar pesë vite të mrekullueshme.
Karrierës së Cafus në Evropë i erdhi fundi në fund të sezonit të kaluar kur i përfundoi kontrata me Milanin, ndërsa aktualisht mbrojtësi i krahut ende nuk ka nënshkruar për ndonjë skuadër të re.
“Ende nuk kam vendosur asgjë, mirëpo në janar do ta marr vendimin përfundimtar nëse do të vazhdoj të luaj ose do të tërhiqem”.
“Kam oferta të shumta nga Brazili dhe nga jashtë. Ku do të luaj varet nga trajneri dhe formacioni i skuadrës”, ka thënë Cafu.
******************************

Inter: Mourinho nuk fiton 14 milionë

Interi ka lëshuar një deklaratë zyrtare në të cilën mohon deklaratat e Jose Mourinhos se ai merr 14 milionë euro pagë vjetore.
“Ka qenë një shaka e thjeshtë. Askush nga personat që janë përmendur në konferencën e djeshme nuk është i lidhur me kontratën e Mourinhos. Shuma ëshë shumë më e vogël:, thuhet në deklaratë.
Gjatë një konference kontroverse shtypi gjatë ditës së djeshme, Mourinho ka dialoguar me një gazetar për një sasi të parave që fiton me Interin: ““Nuk paguhem 9 milionë, por 11 milionë dhe me sponsorë arrin shifrën e 14 milionë eurove”, kishte thënë Mourinho.
************************************

Mascherano: Keane do të përshtatet

Mesfushori i Liverpoolit, Javier Mascherano, beson se i porsatrensferuari te Reds-at, Robbie Keane, i ka potencialet për t’u shndërruar në një hero i golave në Anfield.
Keane pas dhjetë ndeshjesh ende nuk ka shënuar gol për Liverpoolin që nga transferimi 20 milionë-funtesh nga Tottenham Hotspur në gusht.
“Robbie është një lojtar i madh, ndërsa tani ai është duke luajtur në një tjetër sistem loje, në krahasim me atë që e ka bërë te Spursat”.
“Ai duhet t’i përshtatet kësaj mënyre të lojës, ndërsa unë besoj se ai do të krijojë një partneritet të mirë me Fernando Torresin. Robbie ka shënuar shumë gola në karrierën e tij dhe jam i sigurt se do ta bëjë të njëjtën gjë edhe këtu”, ka thënë Macherano.
*******************************

Anelka: Cluj nuk është ekip i vogël

Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Anelka, para ndeshjes së sotme të Ligës së Kampionëve përballë ekipit rumun Cluj, ka paralajmëruar se kundërshtari i radhës nuk është klub i vogël
“Ndoshta nuk di shumë për Cluj dhe lojtarët e këtij ekipi, por di ca për historinë e futbollit rumun, ekipet kombëtare dhe lojtarët kryesorë”, ka thënë Anelka.
“Do të jetë vështirë të luajmë kundër ekipit rumun pasi që ka lojtarë teknikisht të fortë dhe të vendosur. Do të thosha se ata e dëshmuan këtë kur barazuan me Francën në Kampionatin Evropian”, thotë Anelka.
Cluj befasoi në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve, kur mposhti Romën me rezultat 2-1 në udhëtim në Olimpico. Chelsea do të udhëtojë në Rumani pa mesfushorin Deco mbrojtësin Ricardo Carvalho, derisa Joe Cole dhe Salomon Kalou po ashtu janë në dyshim.
**************************************