JUVELIVE

17 tetor 2008

LAJME NEWS - 17.10.2008

Ballack operon të dyja këmbët
Federata Gjermane e Futbollit ka njoftuar se sot mesfushori i Chelseat dhe kapiteni i Gjermanisë, Michael Ballack, ka bërë një ndërhyrje kirurgjike në të dyja këmbët.
Michael Ballack i ka operuar të dyja këmbët në Augsburg të premten pasi ishte ankuar për dhimbje pas lojës së Përfaqësueses së Gjermanisë në ndeshjen e vlefshme kualifikuese për Kampionatin botëror, kundër Walesit. Mesfushori gjerman ka larguar nga të dyja këmbët nga një neuroma (tumor beninj nervor), ndërsa operacioni ka kaluar mirë dhe pa komplikime. “Nëse rikuperimi shkon mirë, Michael do të kthehet në stërvitje pas dy javësh”, ka thënë mjeku i Përfaqësueses gjermane, Hans-Wilhelm Muller-Wohlfahrt.

Galliani: Beckhami mund tё stërvitet me ne
Zёvendёspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se nuk ёshtё i njoftuar me tregimin e rikthimit tё Beckhamit nё Evropё, por nuk ka asgjë kundër stërvitjes sё anglezit me rosonerёt.
Mediat angleze sot kanë publikuar se David Beckham planifikon sёrish tё kthehet nё Evropё dhe tё stërvitet me ndonjë klub gjatë kohës sё pauzës nё kampionatin amerikan. Arsenali, ku Beckham u stërvit vitin e kaluar, sёrish përmendet, por nё lojё kёtё vit ёshtё edhe Milani. Galliani thotë se nuk ёshtё i njoftuar me kёtё gjё, por nuk ka asgjë nёse Beckham dëshiron tё stërvite me rosonerёt. “Nuk di asgjë pёr kёtё tregim, por nёse David Beckham dëshiron tё stërvitet me ne, nuk do tё ketë probleme. Beckhami nё tё kaluarёn ka qenё afёr kalimit nё Milan, por ai vendosi tё kalojё nё LA Galaxy dhe nuk di asgjë pёr dëshirat e tij”, ka thёnё Galliani.

Benitez: Çelësi i fitoreve është përqendrimi
Rafa Benitez shpreson se pauza të cilën e ka pasur Liverpooli si pasoje e angazhimeve të lojtarëve me përfaqësueset e tyre nuk duhet të ndikojë në çrregullimin e ritmit të lojës së tyre, dhe ka këshilluar që skuadra e tij të jetë e përqendruar në ndeshjet e radhës.
“Duhet të përqendrohemi në ndeshjen e radhës. Është me rëndësi të mendojmë për tre pikët e reja dhe të shohim se çka do të ndodh në të ardhmen”. “Ndeshjet pas angazhimeve me përfaqësueset janë gjithmonë të rrezikshme dhe secili e di se duhet të fitojmë. E dimë se jemi në krye të tabelës dhe dëshirojmë të qëndrojmë aty”, ka thënë trajneri spanjoll. Redsat të shtunën takohen me Wigan Athletic, ndërsa Benitez e ka bërë të qartë se nuk pranon asnjë rezultat tjetër përveç fitores

Agüero: Do të luaj në derbi
Sulmuesi i Atletico Madridit Sergio Agüero është kthyer në mëngjesin e sotëm nga angazhimi i tij me Argjentinën dhe pavarësisht se ka pranuar se është i lodhur, ka thënë se do të jetë i gatshëm të luajë kundër Real Madridit të shtunën.
“Lodhja është gjithmonë një temë preokupuese për lojtarët, mirëpo është ngjashëm sikurse kur luajmë edhe në vikend edhe në mesjavë. Mbi të gjitha duhet të pushoj para derbit”, ka thënë numri dhjetë i Atleticos. Sulmuesi ka mohuar se është i kthyer i lënduar dhe është zotuar se nesër do të jetë në fushë kundër rivalëve të kryeqytetit spanjoll. “Tani jam duke menduar vetëm për ndeshjen e nesërme dhe shpresoj të fitojmë”, ka përfunduar argjentinasi.

Beckham sërish rikthehet në Evropë?
Mesfushori anglez David Beckham planifikon të rikthehet në Evropë, me qëllim që ta vazhdojë karrierën e tij ndërkombëtare me Anglinë.
Klubi i Beckhamit në ligën amerikane, LA Galaxy, me siguri nuk do të arrijë të vazhdojë më play-off dhe me këtë praktikisht anglezi do ta përfundojë sezonin në Amerikë pas dy javësh. Mesfushori vitin e kaluar u stërvit me Arsenalin, edhe pse kjo nuk i solli ftesë për ndeshjen miqësore të Anglisë përballë Zvicrës. Beckham ka 107 ndeshje për albionët dhe është në kërkim të paraqitjes së 108-të, me të cilët do të barazojë rekordin e Bobby Moore. Rasti i parë për të thyer këtë rekord do të jetë ndeshja miqësore me Gjermaninë, e cila zhvillohet më 19 nëntor. Andaj anglezi do të tentojë të bëjë të njëjtën gjë si vitin e kaluar dhe përfaqësuesit e tij tashmë kanë rënë në kontakt me topçinjtë. Por, mediat në ishull spekuluan se ish-lojtari i Manchesterit kërkon edhe më shumë se sa stërvitje dhe dëshiron të luajë për ndonjë top-klub të Premierligës. Sipas spekulimeve, ai mund të kalojë edhe në radhët e Milanit.

Lampard: Anglia nuk ka frikë nga askush
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se nën drejtimin e Fabio Capellos, kombëtarja angleze nuk frikohet nga askush.
Të zgjedhurit e trajnerit italian fituan të katër ndeshjet e para të kualifikimeve për Botërorin 2010 dhe kryesojnë grupi 6 me 12 pikë. “Ne jemi ekip i mirë dhe kemi shumë vetëbesim. Duhet vetëm të shohim mirë në zhveshtore dhe ta shohim kualitetin të cilin e kemi dhe të besojmë se mund t’i mposhtim të gjitha ekipet”, ka thënë Lampard. “Filluam të fitojmë në ndeshjet kualifikuese. Tash kemi vetëm disa ndeshje të vështira dhe duhet të vazhdojmë me rezultate të mira”, ka shtuar mesfushori i Chelseat.

Juan: Do ta ndaloj Ibrahimovicin
Mbrojtësi brazilian i Romës, Juan, ka thënë se në ndeshjen e të dielës ai do të arrijë ta ndalojë lojtarin më të mirë të Interit, Zlatan Ibrahimovic.
Derisa Cristian Panucci dhe Philippe Mexes janë të suspenduar, Spaletti ëshë i detyruar t’i japë rast brazilianit. Mbrojtja e Romës do të jetë e dobësuar, por ai beson se do të arrijë t’i ndalojë përpjekjet e Zlatan Ibrahimovic. “Ai është një futbollist i shkëlqyeshëm. Të gjithë e dinë se sa i fuqishëm është ai, por unë jam i shëndoshë dhe jam i gatshëm të përballem me të”, ka thënë Juan për Gazzetta dello Sport. “Ndjehem mirë në Roma, por tash duhet të filloj të luaj standard dhe t’i tregoj paraqitjet e mira të mira, duke filluar që nga e diela”, ka shtuar më tej Juan.

Kaka: Nuk do ta lëshoj Milanin
Sulmuesi brazilian, Ricardo Kaka, thotë se është i lumtur në Milan edhe krahas interesimit të ekipeve tjera dhe nuk dëshiron që ta lëshojë klubin.
Fituesi i Topit të Artë, gjatë verës së kaluar u lidh me një kalim prej 100milionë eurosh në radhët e Chelseat, ndërsa dy sezone më herët në cilësinë e blerësit u gjend Real Madridi. “Do të ishte një veprim hipokrit nëse them se një situatë e tillë për mua është e këndshme. Por për mua pasioni, argëtimi dhe emocionet janë në rend të parë”, ka thënë braziliani. “Për mua do të ketë oferta, siç ka edhe për shumë lojtarë të tjerë, pasi që tregu i transferove është i hapur dhe secili mund të dërgojë ofertë, por unë jam shumë i lidhur me Milanin”. “Nëse vendosi ta lëshoj klubin, kjo do të jetë në ditën kur do të ketë dallime në qëllimet e mia dhe qëllimet e Milanit”, ka përfunduar Kaka.

Martins rikthehet në fushë
Menaxheri i Newcastle Untied, Joe Kinnear, thotë se ndoshta në ndeshjen e radhës do ta nxjerrë në fushë sulmuesin nigerian Obafemi Martins, në vend të të lënduarit Michael Owen.
Owen do të jetë jashtë fushe për shtatë deri në dhjetë ditë, për shkak të lëndimit të cilin e pësoi në stërvitje. Martins, i cili ka pauzuar për shkak të lëndimit në gju të marrë në fund të muajit të kaluar, ndoshta mund të kthehet gjatë vikendit për të zëvendësuar anglezin. “Oba është një prej opsioneve. Ai përparon në stërvitje. Ne planifikuam ende të mos e nxjerrim të luajë, por për shkak të situatës, ndoshta do të jetë në ekipin e parë. Ai ishte i mirë gjatë të mërkurës, ndërsa ishte i shkëlqyeshëm edhe në stërvitjet e të enjtes”,ka thënë trajneri i Newcastle.

Pele: Spanja është më e mirë se Brazili
Legjenda e futbollit botëror, Pele, thotë se Spanja është përfaqësuesja më e mirë në botë, madje është më e mirë edhe se Brazili.
Futbollisti legjendar brazilian dhe sipas shumicës më i miri i të gjitha kohërave, Pele, ka vetëm fjalë të mira për kombëtaren e Spanjës. “Gjatë kohës së kampionatit evropian, iu thosha njerëzve se Spanja këtë herë do të fitojë. Ata më thoshin se Spanja është si Kolumbia në Afrikën e Jugut, e cila gjithmonë premton dhe kurrë nuk arrin deri në fund”, thotë Pele. “Por në fund Spanja fitoi. Unë jam i lumtur, Zoti më do. Nëse vazhdojnë me të njëjtat lojëra, ata do të jenë ndër kandidatët për të fituar Kampionatin Botëror”. “Sot ekipi është shumë më shumë se sa vetëm yje. Spanja ka futbollistë të shkëlqyeshëm dhe luajnë mirë. Në Brazil e kemi Kakan, Robinhon... por nuk luajmë mirë në kombëtare. Nuk veprojmë si ekip”, ka përfunduar braziliani.

Përzgjedhësi i Argjentinës jep dorëheqje
Përzgjedhësi i kombëtares së Argjentinës në futboll, Alfio Basile, mbrëmë ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i tij.
Ky vendim vjen pas humbjes së Argjentinës në udhëtim në Kili, megjithëse Basile ka thënë vendimi për dorëheqje vjen për shkak të arsyeve personale. “Dorëheqja e përzgjedhësit Basile është pranuar dhe në disa ditët e ardhshme ne do ta gjejmë pasuesin e tij”, ka thënë zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Argjentinës. Mediat përmendit tri emra si favoritë kryesorë dhe atë, përzgjedhësin e të rinjve, Sergio Batista, ish-lojtarin e Interit, Diego Simeone dhe trajnerin aktual të San Lorenzo, Miguel Russo.

Moratti pret një ndeshje të mirë kundër Romës
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, beson se ekipi i tij do të luaj ndeshje të mirë dhe do t’i fitojë të tri pikët, gjatë të dielës kundër ekipit të Romës.
Në derbin e Serie A, Moratti beson në lojë të mirë dhe fitore të ekipit të tij, ndërsa shton edhe se Mourinho ka nevojë për kohë për ta shfaqur përvojën e tij. “Për momentin në Romë kemi luajtur disa ndeshje të shkëlqyeshme. Sido që të jetë, kjo do të jetë një ndeshje e vështirë”, ka deklaruar Moratti. “Mourinho është një kohë të shkurtër në Inter, do t’i japim të gjithë kohën e nevojshme, pasi që mund të jetë e dobishme për përvojën e tij. Shpresoj dhe besoj se mund të luajmë një ndeshje të mirë”, ka përfunduar presidenti i Interit.

Van Nistelrooy: Një Atletico më ndryshe
Sulmuesi i Real Madridit, Ruud van Nistelrooy, beson se Atletico Madridi, me të cilin ai do të ndeshet të shtunën në derbin madrilen, do të jetë një ekip më ndryshe krahasuar me ndeshjet e mëhershme.
“Së pari, ata do të ndeshen me ne ende të tronditur nga humbja ndaj Barcelonës dhe lojtarët si edhe tifozët do të jenë më të ndezur. Por po ashtu ka një ekip shumë më të fuqishëm këtë sezon, krahasuar me vitet e kaluara”, ka thënë Nistelrooy. “Besoj se ndeshja këtë vit do të jetë më e komplikuar, por nëse luajmë lojën tonë, do të jemi në gjendje të nxjerrim rezultat pozitiv”, ka shtuar holandezi.

Tevez shënjestër e Real Madridit
Mediat spanjolle kanë spekuluar se nëse Manchester United nuk paguan 37 milionë euro për ta mbajtur sulmuesin, Carlos Tevez, në janar argjentinasi do të bëhet lojtar i Real Madridit.
“Marca” ka njoftuar se trajneri i Mbretërve, Bernd Schuster, ka kërkuar nga Predrag Mijatovic që ta sigurojë një sulmues të klasit botëror, Tevez është njeriu i duhur. Argjentinasi është pronë e kompanisë menaxhuese MSI, të cilët e kanë huazuar atë në Manchester United deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Nëse Djajtë e Kuq dëshirojnë ta mbajnë Tevezin, ata duhet të paguajnë 37 milionë euro, nëse jo ai do të largohet në drejtim të kryeqytetit spanjoll.

Barzagli: Bundesliga më spektakolare
Mbrojtësi italian i Wolfsburgut, Andrea Barzagli, ka deklaruar se Bundesliga gjermane është më spektakolare se Serie A.
Gjatë afatit veror Andrea Barzagli së bashku me Cristian Zaccardon u transferuan te skuadra gjermane nga Palermo, dhe mbrojtësi italian është ngutur për ta “poshtëruar” Kampionatit italian. “Mënyra e lojës këtu është shumë më spekatkolare se në Itali. Këtë shënojnë më shumë gola sesa në Serie A. Në Itali rrallë ndodh që një ndeshje të përfundojë me rezultat 5-4 ose 4-2”, ka thënë Barzagli për faqen zyrtare të Bundesligas.

Haan ende beson tek kualifikimi
Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Arie Haan, është shprehur tejet i kënaqur për pikën e marrë dje në Portugali dhe ka përgëzuar skuadrën e tij për karakterin që tregoi në fushë.
“Ndihem i gëzuar. Nuk ka se si të mos jem, pasi arritëm të merrnim një rezultat shumë të mirë. Të dalësh nga fusha me një barazim, përballë një skuadre si Portugalia, madje në shtëpinë e saj, e për më tepër të luash një pjesë të mirë loje me një futbollist më pak, atëherë padyshim që kjo mund të cilësohet si një arritje për t’u vlerësuar nga të gjithë”, ka trajneri i kombëtares shqiptare. “Jam i kënaqur nga loja e djemve të mi, sepse arritën të tregonin karakter të fortë. E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe gjatë gjithë këtyre ditëve kishim bërë një punë shumë të madhe”, ka shtuar holandezi. Në komentet e mëtejme rreth ndeshjes, trajneri është shprehur optimist për mundësitë e kualifikimit të Shqipërisë në Botërorin, Afrika e Jugut 2010. “Jemi ende në garë dhe jam shumë i kënaqur për këtë, sepse kemi treguar se mund të jemi surpriza e këtij grupi. Ne vazhdojmë të besojmë”, ka përfunduar holandezi. Shqipëria aktualisht renditet në vendin e katërt, pasi ka grumbulluar pesë pikë, po aq sa ka edhe Portugalia e vendit të tretë dhe Suedia e vendit të pestë.

Henry: Messi duhet ta marrë Topin e Artë
Ish-legjenda e Arsenalit, sulmuesi francez Thierry Henry, e ka shtuar emrin e tij në listën e futbollistëve të cilët favorizojnë Lionel Messin për të fituar çmimin e famshëm, Topi i Artë.
“Iniesta është një lojtar i pabesueshëm; nuk mund ta kuptoj pse ai nuk ishte në listën e 32 kandidatëve (për çmimin). Ai ishte lojtari më i mirë në finalen e Ligës së Kampionëve, kur unë luaja me Arsenalin (kundër Barcelonës) dhe luaj edhe më mirë me të në ekip”, ka thënë Henry. I pyetur se çfarë do të mund ta ndalonte bashkëlojtarin tjetër të tij, argjentinasin Lionel Messi, nga triumfi në çmimin Topi i Artë, përgjigja e Henry ka qenë e thjeshtë: “Ai (Messi) ka nevojë të fitojë tituj, është e vetmja gjë që shkon kundër tij. Por e shoh se ai bën gjëra të pabesueshme të stërvitje dhe pastaj ai i shfaq ato edhe në fushë, si për shembull në ndeshjen ndaj Atletico Madrid”, shton Henry.

Roma interesohet për Behramin
Agjenti i Valon Behramit, Alexandro Beltrami, ka bërë të ditur se për klientin e tij interesim ka shprehur ekipi i Romës.
Kosovari gjatë afatit kalimtar veror kaloi nga Lazio në West Hem, por ekipi anglez mund të ndodhë t’i shesë disa nga lojtarët e vet, për shkak të dëmshpërblimit që duhet t’i paguajë Sheffield United si kompensim për aktivizimin ilegal të Carlos Tevez. Agjenti i Behramit, Alexandro Beltrami, thotë se Roma ka kontaktuar direkt me të dhe ka treguar interesim për 23-vjeçarin, i cili aktivizohet për kombëtaren e Zvicrës. “Roma ka shfaqur interesim për Valonin. Ata më kanë dhënë fjalën se janë seriozisht të interesuar dhe dëshirojnë ta angazhojnë atë. Sido që të jetë, ne jemi vetëm në fillim të negociatave”, ka thënë agjenti.