JUVELIVE

21 tetor 2008

Kanavaro sfidë Juves: Fiton Reali

Italiani është gati të vërë bast kundër bardhezinjve
"Ajo kundër Juventusit është për mua një ndeshje speciale". Real Madrid do të luajë në Torino ndeshjen e tij të tretë të fazës në grupet e Champions League kundër Juventusit. Sfida - Një ndeshje e vështirë dhe tepër e veçantë për ish- bardheziun Fabio Kanavaro. "Jam i lumtur që kthehem të gjej njerëz, me të cilët kam kaluar dy vite fondamentale", ka thënë ai në një intervistë për faqen zyrtare të spanjollëve. Por, duke lënë mënjanë ndjenjat, Kanavaro vë bast për Realin. "Në Torino nuk shkojmë për të humbur, dhe jam i sigurt se mund t‘ia dalim me të paktën një pikë". Mbrojtësi ka luajtur dy sezone te Juventus (2004-2006). "Në Torino, kam luajtur vitet më të mira të karrierës time sportive. Kam fituar dy tituj, edhe pse më pas m‘i hoqën. Kam një marrëdhënies shumë të mirë me ish-shokët e skuadrës dhe me tifozët, por, megjithatë, besoj se sot do të më fërshëllejnë, sepse ika kur Juve ra në Serinë B, dhe kjo nuk u pëlqeu njerëzve. Por unë përfitova nga mundësia unike për të kaluar te Reale Madrid". Kanavaro shkoi në Spanjë pas "Calciopoli"-t. Ish-shokët - Kanavaro ka folur me Kielinin për sfidën. "Kam pasur mundësinë të bisedoj me Xhorxhon, që shpresonte të lodhesha të shtunën kundër Atletikos, bën shaka kapiteni i Italisë. Fola edhe me Bufonin, që është i dëmtuar, dhe me Del Pieron". Reali vjen në këtë takim pas fitores ndaj Zenitit dhe me dy pikë avantazh ndaj Juventusit. "Në San Peterburg kemi luajtur një ndeshje spektakolare. U pa një skuadër, që pjesën e parë luajti shumë mirë dhe në të dytën vuajti. Demonstruam kualitet dhe zemër, dhe kjo ishte fondamentale. Jemi përgatitur për të përballuar Juven në Torino. Duhet të kthehemi në shtëpi me ndonjë pikë". Kanavaro nuk ka vendosur ende për të ardhmen. "Në Madrid, jam shumë mirë. Kam një marrëdhënie të mirë me tifozët dhe me shokët e mi, por është ende herët të mendoj për këtë. Shpresoj të flas me klubin në fund të vitit".Juventusi - Edhe Poulsen përfundon në tapet. Tjetër pengesë për një Juventus në krizë rezultatesh, loje, por mbi të gjitha njerëzish, lojtarësh të disponueshëm për të zbritur në fushë. Danezi do të qëndrojë 3 javë jashtë fushës, pas një tërheqjeje në kofshën e majtë: Dhoma e zhveshjes është transformuar në një spital, me 19 të dëmtuar dhe vetëm 14 lojtarë të gatshëm. Për fat sot, kur Juve do të përballet me Realin, do të rikthehen Sisoko, Iakuinta e Legrotalje, ndërsa mund të rikuperohet edhe Malberg.