JUVELIVE

20 tetor 2008

Juventusi, nuk përjashtohet "plani B"

Administratori bardhezi, Blank, konfirmon besimin te Ranieri, por trajneri është më i rrezikuari
Udhëtimi gjatë natës nuk ka përfunduar ende: për Juventusin situata vazhdon të duket e errët. E kur mendon se kundërshtari i ardhshëm e ka emrin Real Madrid, shpresat për të dalë nga kriza janë gjithmonë e më të vogla. Tri barazime dhe dy humbje: këto janë statistikat që ka regjistruar skuadra e drejtuar nga Klaudio Ranieri gjatë muajit të fundit. Fitorja e fundit e bardhezinjve është ajo e 21 shtatorit me Kaljarin. Që prej asaj kohe vetëm "shuplaka" njëra pas tjetrës, deri sa erdhën 2 golat e pësuar në "San Paolo", të cilat u shkaktuan torinezëve një tjetër "K.O.". Apeli për t‘u rikthyer te fitorja, thirrjet për unitet, bisedat me senatorët e skuadrës, konfirmimi i trajnerit dhe prezenca e drejtuesve në fushë nuk ka shërbyer. Juventusi po "shkatërrohet", por më e keqja është se klubi nuk ka as kohë në dispozicion për të riparuar: në mesjavë skuadra është e impenjuar në Champions, pikërisht kundër Realit. Kjo është arsyeja përse ndërrimi i menjëhershëm i trajnerit nuk shihet si zgjidhje. Megjithatë, që prej së shtunës, bordi drejtues ka filluar të mendojë për një "plan B". Situata rrezikon të përkeqësohet edhe më shumë dhe skuadra nuk mund të lihet "në ajër". Tashmë, përveç trajnerit, pikëpyetjet kanë filluar të ngrihen edhe për vetë drejtuesit: ky ishte projekti i ndërtuar prej tyre. Dështimet në merkato dhe çdo rezultat negativ i skuadrës në fushë u faturohet edhe zyrtarëve.Rreth krizës së rezultateve dhe pozitave të vështira ku ndodhet skuadra, ka folur administratori i klubit, Zhan Klod Blank. Ai ka konfirmuar besimin ndaj trajnerit: "Ranieri? Besimi i klubit jepet një herë dhe klubi ia ka dhënë". Më tej ai foli për situatën. "Është një moment i vështirë, vazhdoi drejtuesi bardhezi. Kishim vendosur se objektivi ishte që të riktheheshim menjëherë te fitorja, pasi duhej të rifitonim besim tek aftësitë tona. Napoli u tregua një skuadër shumë agresive, ndërsa ne bëmë disa gabime në mbrojtje. E dimë që duhet të punojmë. Duhet të analizojmë edhe situatën e dëmtimeve. Nuk e them si justifikim, por po paguajmë një faturë shumë të lartë, për shkak të mungesave, mbi të gjitha duke luajtur tri ndeshje në javë". Gjatë paradites së djeshme, përpara seancës stërvitore me dyer të mbyllura, Blank dhe drejtori sportiv, Alesio Seko, zhvilluan një takim të gjatë me futbollistët.