20 tetor 2008

Drejtuesit juventinë pranojnë krizën

Pas humbjes me Napolin, administratori i Juventusit, Xhan Klod Blank, nuk e fsheh aspak krizën e rezultateve që i ka përfshirë bardhezinjtë: “Po kalojmë një moment të vështirë, për shkak të dëmtimeve të shumta që kemi në skuadër, – ka thënë Blank, duke shtuar. – I kisha kërkuar skuadrës që kundër Napolit të fitonte, për të fituar besimin në vetvete, por për fat të keq në atë ndeshje kemi gabuar shumë në mbrojtje. Në atë repart kemi shumë lojtarë të dëmtuar. Ky nuk është një justifikim, sepse të gjithë duhet të jepnin maksimumin për të arritur fitoren, por megjithatë dëmtimet po e penalizojnë Juventusin”. Gjithashtu, Blank konfirmon sërish Ranierin në krye të skuadrës bardhezi: “Ranieri gëzon besimin e klubit. Këtë e kam thënë edhe më parë dhe nuk e gjykoj të nevojshme ta përsëris në çdo intervistë. Por padyshim, nëse tani jemi në këtë krizë, kjo do të thotë që para disa javësh nuk kemi punuar ashtu siç duhet”. Të martën bardhezinjë do të ndeshen me Realin e Madridit dhe ata i janë kthyer menjëherë stërvitjes. Takimi me spanjollët është i vlefshëm për Ligën e Kampioneve. Me këtë rast Alesio Seko dhe Zhan Klod Blank kanë zhvilluar një takim me të gjithë skuadrën. Gjatë stërvitjes së djeshme në Torino janë parë edhe Jakuinta, Melberg dhe Legrotalje, të cilët mund të jenë në fushë kundër Realit, ndërsa të tjerët si Kamoranezi, Bufon, Trezege, Zebina, Zaneti, Tiago dhe Poulsen do vazhdojnë t’i mungojnë teknikut bardhezi. Mesfushori danez Kristian Poulsen, e ka braktisurpërpara kohe fushën e “San Paolos” dhe siç bën të ditur stafi mjekësor bardhezi, lojtari do t’i mungojë Juventusit për të paktën 3 javë. Ndeshja e së martës ndërmjet Juventusit-Realit do luhet në orën 20:45 në Torino dhe do drejtohet nga gjyqtari gjerman, Volfang Stark.