JUVELIVE

23 tetor 2008

"Artisti" Del Piero: Sfida si ajo me Realin, të frymëzojnë.

Përpara supersfidës Juventus-Real kishte deklaruar: "Ndodhemi të gjithë në të njëjtën situatë të vështirë". Dhe në momentin më deçiziv, pikërisht ai, Alesandro Del Piero, kapiteni i bardhezinjve, dhuroi një nga ato paraqitjet që mbahen mend gjatë. Pak orë përpara fërshëllimës së parë kishte thënë edhe: "Futbolli luhet për ndeshje të tilla". Në moshën 33-vjeçare, me 41 gola të realizuar në Ligën e Kampioneve, ai e përforcoi këtë ide edhe në fund të takimit në Torino. "Juve-Real Madrid është një ndeshje krejt e ndryshme, që të frymëzon. Të dhuron emocione të veçanta, të cilat arritëm t‘i transmetonim në fushën e lojës". Deklaratë e bërë pa ekzagjerime, me gjysmë zëri, sikur paraqitja e tij dhe e Juventusit të ishin normale, një rutinë e përditshme. Gjithsesi, realiteti ndryshon. Ndeshja e numrit 10 u iluminua nga perla me të cilën vetëm pas 5 minutave lojë gjunjëzoi Iker Kasiljasin. Ekzekutim i jashtëzakonshëm, që u dha edhe më shumë kurajë bardhezinjve dhe tronditi kampionët e Spanjës. Del Piero tha: "Goli? Është ai që patë. Pas kombinimit me Amaurin, topi u devijua nga një mbrojtës dhe mori trajektore të çuditshme. Qëndroi përpara këmbëve të mia dhe vendosa ta gjuaj menjëherë. Për fat të mirë veprova në këtë mënyrë".