02 shtator 2008

Notat e javës së parë, befasojnë “të voglat”

Java e parë e Serisë A ka qenë plot të papritura, pasi asnjë nga pretendentet për titull nuk ka fituar, e mbi të gjitha nuk ka bindur në lojë. Ndërkohë, ato që bëjnë surprizën më të bukur janë dy formacionet e sapongjitura në Kategorinë e Parë italiane, si Kievo e Bolonja. Bolonja 8,5 – Kuqeblutë janë padyshim skuadra më e mirë e javës së parë, pasi kanë arritur të gjunjëzojnë në shtëpi pretendenten kryesore të Serisë A, Milanin e Karlo Ançelotit. Skuadra e Arrigonit ka shfaqur një lojë të mirë me një kundërsulm të shpejtë, ku pse jo mund të kandidohet si surpriza e vërtetë e këtij sezoni. Lacio 8 – Fiton lehtësisht në transfertën e Kaljarit me rezultatin 4-1, ku padyshim spikat sulmuesi brazilian Zarate, i mbërritur në Romë gjatë merkatos së kësaj vere. Napoli 7,5 – Tregon një karakter të fortë kur arrin t’i shkëpusë një barazim të rëndësishëm Romës, në momentin që ndodheshin me dhjetë lojtarë. Hamshik, ndeshje pas ndeshjeje, po shndërrohet në gjithnjë e më shumë në njeriun simbol të kësaj skuadre dhe Edi Reja mund të fillojë të ëndërrojë për një sezon si protagonist. Torino 7,5 – Ndryshe nga sezoni i kaluar, sivjet është sulmi forca më e madhe e kësaj skuadre. Rozina, Di Mikele, Bianki e Stelone do të jenë garancitë e trajnerit De Biazi për të qëndruar sa më gjatë në pankinën “granata”. Udineze 7 – Di Natale shënon dopietën e parë për këtë sezon dhe tërheq skuadrën e tij në një ndeshje perfekte, kundër një rivali direkt si Palermo. Kievo 7 – Skuadra më simpatike e pesë viteve të fundit të Serisë A, pas një agjërimi në sezonin e kaluar është rikthyer përsëri midis më të mirave të kampionatit italian. Rikthimi ka qenë tepër bindës, sepse pas ditës së parë të sezonit gjendet në krye të klasifikimit me 3 pikë pas fitores ndaj Rexhinës. Katania 7 – Rumuni Dika është një blerje e goditur dhe Maskara shënon golin vendimtar për skuadrën e Zengës, i cili ndal një ndër ekipet më të përforcuar të kësaj merkatoje, Xhenoan. Fiorentina 6,5 – Nuk është e thjeshtë për askënd t’i thotë ‘ndal!’ Juventusit një minutë nga përfundimi, por nëse vjollcët vazhdojnë me këtë ritëm dhe me një Xhilardino që shënon me shpeshtësi, atëherë për djemtë e Prandelit nuk do të jetë e vështirë të rikonfirmohen në vendin e katërt. Juventus 6,5 – Një ndeshje e mirë për 89 minuta, pasi që në javën e parë mund të kishin arritur të merrnin 3 pikë shumë të rëndësishme. Mirëpo kësaj here Del Piero nuk është i pafalshëm përpara portës, por gjithsesi bardhezinjtë mund të vazhdojnë të bindur për të rivalizuar Interin e mrekullive. Sampdoria 6,5 – Skuadra e Maxarrit është shndërruar në pengesën e parë për kampionët e Italisë, por premtojnë se të tillë do të jenë për cilindo kundërshtar. Djemtë e Maxarrit luajnë një futboll dëfryes dhe brenda në shtëpi janë të rrezikshëm për këdo. Ndërkohë, Kasano rezervon gjithmonë surprizën. Atalanta 6,5 – Zikaltrit bëjnë detyrën përballë një rivaleje direkte si Siena, nën drejtimin e mjeshtrit Xhixhi Del Neri. Nuk pretendojnë asgjë më shumë se qëndrimi në Serinë A, por sezonin e kaluar e humbën pjesëmarrjen në UEFA vetëm në javën e fundit të sezonit, por këtë vit... Inter 6 – Nuk është e lehtë të fitosh në Xhenova, por pas avantazhit të Ibrahimoviçit, ndalesa ishte e pamenduar. Gjithsesi, me rikthimin e Interit në Milano fillon realisht sezoni i tyre. Roma 5 – Duke parë sfidën me Napolin, ku këta të fundit arrijnë të frenojnë kryeqytetasit me vetëm dhjetë lojtarë, atëherë Spaletiduhet të fillojë të mendojë seriozisht t’i ndërrojë ritmin kësaj skuadre. Vetëm Baptista e Rise nuk mund të bëjnë diferencën në kampionatin më të luftuar në botë. Xhenoa 5 – Shumë përforcime të rëndësishme, por në fushë mungon ritmi. Olivera nuk është Borrielo dhe dallohet qartë, por Gasperini premton përgjigjen në sfidën e ardhshme. Rexhina 5 – Në sfidën e parë të kampionatit vetëm Korradi duket se vrapon tek Rexhina, prandaj me këtë ecuri kalabrezët do ta kenë tepër të vështirë të vazhdojnë të qëndrojnë në Serinë A. Kaljari 5 – Ndonëse kalojnë në avantazh ndaj Lacios, në vend që të administrojnë rezultatin, nxehen gjakrat dhe skuadra shpërfytyrohet. Kjo shfrytëzohet nga rivalët, të cilët brenda 40 minutash shënojnë jo pak, por plot katër herë. Siena 5 – Sado që ndërrojnë drejtues e teknikë, Siena është gjithmonë e njëjta skuadër, madje këtë sezon edhe më e dobët nga vitet e shkuara. Së bashku me Kaljarin e Rexhinën duhet të fillojnë të bëjnë mirë llogaritë. Milan 4,5 – Përveç Ronaldinjos, askush tjetër nuk dhuron diçka të bukur për këtë skuadër. Mbrojta është në emergjencë dhe Shevçenko, i rikthyer me aq bujë, nuk frikëson më askënd. Mbase me rikthimet e Nestës e Kakas gjërat mund të ndryshojnë, por shpresojmë që atëherë të mos jetë tepër vonë. Leçe e Palermo 4 – Nga Leçe nuk pritej shumë,sapo është ngjitur në Serinë A, kurse Palermoja ka zhgënjyer totalisht. Pavarësisht premtimeve e shpresave të mëdha, duket se djemtë e Kolantuonos nuk mund të kërkojnë asgjë më shumë se qëndrimi ndërmjet më të mëdhenjve.