04 shtator 2008

Galiani i nervozuar, kërkon takim emergjence

Zv/presidenti i Milanit, Adriano Galiani, është tejet i nervozuar me startin e dobët të kampionatit nga skuadra kuqezi. Numri 2 i klubit thirri një takim emergjence me trajnerin Ançeloti dhe stafin, për të diskutuar rreth situatës. Edhe pse ishin skuadra më aktive në merkaton e verës, ku afrimi më i bujshëm ishte padyshim ai i Ronaldinjos, Milani humbi 2-1 në shtëpi përballë Bolonjës të sapo ngjitur nga Seria B. Sipas "Corriere Dello Sport", Galiani është tejet i shqetësuar nga paraqitja në "San Siro" dhe për të nxjerrë skuadrën sa më shpejtë nga kjo situatë kërkoi një takim me drejtuesin e stolit dhe ndihmësit e tij. kjo nuk është hera e parë që zv/presidenti është shfaqur i nxehur, pasi edhe gjatë fazës përgatitore ai u takua me Ançelotin për shkak të paraqitjeve jo bindëse të skuadrës. Me sa duket, drejtuesve të klubit kuqezi u është sosur durimi dhe tashmë trajneri duhet të jetë i kujdesshëm, pasi mund të rrezikojë vendin e punës. Që prej paradites së djeshme, mediat italiane shkruanin se në vitin 2009, Ançeloti mund të emërohet në krye të stolit të Romës, por nëse rezultatet e dobëta vazhdojnë, largimi i tij nga Milani mund të vijë edhe më shpejt. Fitimi i kampionatit është objektivi kryesor i Milanit në këtë edicion dhe në rast se skuadra do të zhgënjejë sërish në fushën e lojës, Galiani mund të vendosë t‘i prishë kontratën trajnerit. Kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren që prej sfidës së javës së dytë në Serinë A, edhe sepse Kaka, Nesta, Borrielo e Senderos po rikuperohen nga dëmtimet.