08 prill 2011

Neimar bën të ëndërrojë Juven dhe Milanin


Talenti brazilian, në fokus të merkatos europiane, pohon: Jam gati të luaj për bardhezinjtë, por edhe me Robinjon

Deri para pak ditësh, Neimar konsiderohej si një yll, i cili ishte i destinuar për Barcelonën apo Çelsin, skuadra, që mund t’i lejojnë vetes shpenzime marramëndëse për të marrë shërbimet e talentit, por duket se gjërat janë ndryshe.

Ylli i Santosit, i cili regjistron tre gola në paraqitjet e tij me Brazilin, teksa dopietën e fundit e ka realizuar në ndeshjen miqësore të Londrës kundër Skocisë, javën e kaluar, ka ndezur një dritë jeshile për skuadrat italiane të Milanit dhe Juventusit, duke i bërë tifozët e tyre të ëndërrojnë.

“E njoh traditën e këtij klubi duke qenë se e ndjek Serinë A,” ka shpjeguar Neimar. “Më tërheq ideja për të patur një eksperiencë në Itali. Tani jam i gatshëm për Juven, klubin e Zidanit. Sa i përket Milanit, kam bërë shaka me Robinjon pasi e ardhmja ime ende s’është vendosur.”

Ndërkohë, sulmuesi brazilian ka qenë protagonist nëpërmjet një goli të mrekullueshëm duke i dhuruar fitoren skuadrës së tij, e cila ka mposhtur Kolo-Kolon në ndeshjen e vlefshme për Kupën Libertadores. Gjithashtu Neimar ka parë një skenë ku tifozët e tij kanë veshur një maskë që ngjasonte me fytyrën e tij.
/JUVENEWS.TK/