14 prill 2011

Matri, super-sprint te Juvja si Serena dhe Skilaçi


Sulmuesi përfshihet mes bardhezinjve më të mëdhenj të së shkuarës: me 7 gola në 10 ndeshje, më mirë se Pacini

Para David Trezegesë, Alesandro Del Pieros, Pipo Inzagit. Para të gjithëve. Alesandro Matri, ka shënuar 7 gola në 10 ndeshjet e para
të luajtura me Juven dhe në 25 vitet e fundit, vetëm Aldo Serena e Totò Skilaçi kanë pasur të njëjtën mesatare.

Në kuotën 6 kanë ndaluar Trezege, Roberto Baxhio, Inzagi e Iakuinta. Në kuotën 5 Del Piero, Ibrahimoviç, Mëler e Amauri. Në kuotën 4, Viali, Laudrup e Briaski.

SURPRIZA - Nëse cilësitë teknike të Matrit nuk ishin në diskutim (nuk shënohen rastësisht 11 gola deri në mes të kampionatit me Kaljarin), ajo që ka befasuar më shumë ka qenë mënyra me të cilën sulmuesi është përfshirë me Juventusin. Vështirësitë ishin dy: pesha e fanellës dhe momenti negativ i skuadrës.

Por Alesandroja e kaloi pengesën. I përshtatur përsosshmërisht me të gjitha modulet e Del Nerit, Matri ka shënuar në situata absolutisht të ndryshme (vetëm goli i parë në Kaljari dhe i pari në Çezenë kanë pasur një zhvillim të njëjtë). Aftësia e ç’markimit ka qenë e dukshme, sikundër cilësitë teknike.

Por karakteri është akoma më i rëndësishëm: i qetë në fushë dhe brenda saj, Matri ka përballuar me buzëqeshje rastin e tij të madh dhe tani është në avantazh në sfidën me Pacinin (7 gola me 6), i cili ishte një kandidat për të veshur fanellën bardhezi në janar.

Dhe nuk është një rastësi nëse Matri shënoi gol në debutimin me kombëtaren: sfidat e ekzaltojnë, nuk e shqetësojnë. Ndoshta sepse ka mbërritur kaq lart shkallë-shkallë pa i djegur parashikimet.

SERENA - Në verën 1985-ës, Aldo Serena sapo i kishte mbushur 25 vjeç, thuajse sa Matri sot. Erdhi te Juvja e Platinisë: “U përshtata shumë mirë, - kujton Serena. - U përshtata menjëherë me Mauron e Kabrinin, që ishin shumë të zotë të krosonin. Gjëja më zbavitëse ishte që Platinisë nuk i pëlqenin gjithë ato krosime: parapëlqente lojën me topa të ulët që e bënte para së gjithash Laudrup.

Megjithatë, Mishel ishte i çmuar me vertikalizimet e tij”. Edhe Serenës i ka pëlqyer paraqitja e Matrit me fanellën bardhezi: “Nuk kisha dyshime mbi cilësinë e tij, por mbi aftësitë e përshtatjes së shpejtë me realitetin e një skuadre të madhe.

Tek ai shoh aftësinë për t’u gjendur gjithnjë gati në pozicionin e duhur. E ardhmja e Juves? Duhet një tjetër qendërsulmues i madh, por jo se Matri nuk është mjaftueshëm i zoti.

SKILAÇI - Në verën e 1989-ës Toto Skilaçi ishte thuajse 25 vjeç, vinte nga një ishull (Siçilia) dhe kishte dyshime mbi aftësitë e tij për të çarë te Juventusi. Praktikisht si historia e Matrit. Dhe si Alesandroja shënoi 7 gola në 10-të ndeshjet e para: “Unë isha tifoz i Juves, - tregon Skilaçi, - dhe thuajse nuk e besoja se do të vishja atë fanellë.

Kisha frikë, por gjithçka shkoi mirë. Zof më tha të luaja sikur isha akoma te Mesina. Shënova një dygolësh në Veronë në javën e dytë, në ditën, ku për fat të keq ndërroi jetë Shirea. Nuk ndalova më”. Skilaçi gjen një krahasim për Matrin: “Më kujton Kaziragin për mënyrën se si lufton dhe e sheh portën.

Mund të bëhet një futbollist i rëndësishëm, edhe pse ka shenja përmirësimi dhe sulmues të fortë në Itali ka pak”. Pas atyre golave të parë me Juven, Serena fitoi Kupën Interkontinentale me Juven dhe Skilaçi u bë hero i netëve magjike me Italinë. Tani Matri duhet të fiksojë një objektiv po kaq ambicioz.
/JUVENEWS.TK/