13 prill 2011

Juventus do të vazhdoj me Del Nerin


Merr jetë konfirmimi i Del Nerit në krye të stolit bardhezi. Pas tri fitoreve radhazi, drejtuesit e Juventusit kanë vendosur të mos ua vënë shumë veshin protestave publike kundër trajnerit dhe t’i japin një tjetër mundësi këtij të fundit.

Mes meritave si ish-trajner i Kievos dhe Romës, qëndron edhe fakti se si ky trajner ka ditur ta mbajë veten psikologjikisht në momentet më të vështira duke mbajtur lart edhe besimin në skuadër. Konfirmimi duket në horizont dhe shumë shpejt mund të bëhet zyrtar nëse Juventusi kualifikohet për në Champions.

Duket se ka marrë fund faza e rënies gjatë sezonit 2010-2011 për Juven. Pas një fillimi të mbarë dhe pas një zhytjeje totale nga mesi i këtij sezoni, bardhezinjtë tashmë kanë grumbulluar një seri prej tri fitoresh, që falë hapave fals, të rivalëve mund ta çojnë Juven drejt Championsit. Normalisht që kjo është edhe meritë e Del Nerit.

Tekniku është treguar i zoti duke i bërë ballë presionit mediatik dhe kritikave të tifozëve, duke e izoluar psikologjinë e skuadrës nga këto të fundit. Një opsion “alla” Mourinjo. Portugezi gjatë dy viteve në drejtimin e Interit ka qenë një “maestro” i komunikimit.

Duke vënë fytyrën dhe karakterin e tij përballë kritikave të medias, mbrojti futbollistët e tij, duke u lejuar atyre të rriten në nivel mendor gjatë dy sezoneve duke fituar gjithçka. Të njëjtin reagim ka bërë edhe Xhixhi Del Neri. Në çdo ndeshje tekniku është bërë pre e vërshëllimave të tifozëve.

Këta të fundit gjithmonë i kanë kritikuar zgjedhjet teknike dhe modulin e lojës. Ndoshta po të analizohet më në thellësi, Del Neri nuk është se ka pasur shumë faj në këtë sezon jo të suksesshëm. Mjafton të kujtohen dëmtimet e shumta pasi në dhjetor Juvja luftonte mes katër më të mirave.

Tani pas kësaj periudhe të zezë, duket se skuadra e ka rimarrë veten dhe kjo falë një moduli të ri që po përdor trajneri, duke kaluar nga 4-4-2 në 4-1-4-1, apo nga 4-3-3 në 4-2-4. Kanë qenë këto ndryshime teknike, të cilat i mundësuan fitoren e tri ndeshjeve të fundit, duke e ngushtuar distancën në 5 pikë me vendin e katërt, rruga minimale drejt Championsit.
/JUVENEWS.TK/