11 prill 2011

Del Neri: Kemi luftuar për 90 minuta


Trajneri i Juventusit i ka bërë komplimenta skuadrës pas fitores 3-2 kundër Xhenoas

“Ka qenë një fitore e merituar”. Del Neri ka marrë suksesin e tretë radhazi me Juven e tij. Bardhezinjtë kanë mundur Xhenoan me rezultatin 3-2 pasi kanë qenë dy herë në disavantazh.

“Skuadra është treguar e aftë në përmbysjen e një ndeshjeje, që ka filluar me një autogol”, ka thënë trajneri bardhezi që më pas ka shtuar: “Skuadra ka luftuar për 90 minuta, duke krijuar 7-8 raste për gol. Kemi qenë gjithnjë të përqendruar, portieri i Xhenoas ka bërë pritje të mëdha.

Temperaturat kanë qenë shumë të larta, në ditë të tilla njerëzit shkojnë në plazh për të marrë rreze djelli”, ka thënë Del Neri. Në portë për Juven ka qenë Marko Storari. Rivaliteti midis portierëve mund të kthehet në qendër të vëmendjes në ndeshjen e ardhshme me rikthimin e Xhixhi Bufonit.

“Unë respektoj hierarkitë. Storari e dinte se do të zëvendësonte Bufonin për 7 muaj. Eshtë e drejtë që ai të arsyetojë si një lojtar titullar, unë arsyetoj si trajner dhe dua dy portierë të mëdhenj. Kam Bufonin, kampion bote, dhe titullar në kombëtaren e Italisë…”, ka shtuar trajneri.

Ndërkohë, fitorja ndaj Xhenoas, më shumë se një mesazh për kundërshtarët direktë për një vend në Champions, ka qenë një “mesazh për veten tonë. Në pjesën e dytë është parë dëshira jonë për të fituar, me vendosmërinë e duhur që na duhet që nga ky moment dhe deri në fund të kampionatit”.

Kështu e ka komentuar Alesandro Matri fitoren 3-2 të Juventusit ndaj Xhenoas që u ka lejuar bardhezinjve të qëndrojnë në garë për një vend në Ligën e Kampionëve.

“Xhenoa ka kaluar në avantazh me një autogol, për të rekueruar disavantazhin duhet të sulmosh duke krijuar hapësira për kundërshtarin dhe sot (dje) diferencën e ka bërë vendosmëria dhe dëshira për ta fituar këtë ndeshje, duke dhënë një sinjal të rëndësishëm”, ka vazhduar Matri.

“Presioni te një skuadër e madhe si Juventusi është më i madh se te Kaljari, por skuadra dhe tifozët më kanë pritur mirë dhe më kanë ndihmuar të përshtatem menjëherë”.
/JUVENEWS.TK/