17 mars 2011

“Zonja”: Konte më afër, Spaleti largohet

Vazhdon “ankandi” për trajnerin e ri bardhezi në fund të sezonit. Mund të rikthehet edhe Deshamp

Juventusi i ri po lind. Për momentin është një skicë në letër të bardhë, një projekt që duhet të marrë jetë, një ide për t’u zhvilluar. Vendimi i parë, ai më delikat, sheh pa diskutim trajnerin që duhet të përshtatet me Bepe Marotën, sa i përket blerjeve që do bëhen për të përforcuar ekipin.

Kur Andrea Anjeli dhe Marota kuptuan se aventura me Del Nerin do të ndërpritet më herët nga sa parashikohej, iu futën punës për të gjetur njeriun e duhur. Emrat e parë kanë qenë ato të Fabio Kapelos dhe Luçiano Spaletit, ekspertë, fitues, të aftë për të zgjedhur me prezencën e tyre, ata kampionë që do të bëjnë kompetitive Juven.

Kapelo, kërkon të respektojë kontratën me Anglinë, që skadon pas kampionatit europian. Spaleti, ishte një objektiv më konkret, por fillimi i sezonit në Rusi dhe vështirësia e trajnerit për t’u liruar nga Zeniti dhe mbi të gjitha nga Gazprom, komplikuan së tepërmi gjërat.

Spaleti mbetet një opsion i vlefshëm, por çdo ditë që kalon bëhet gjithmonë e më e vështirë për mbërritjen e tij. Kështu që Anjeli dhe Marota janë duke vlerësuar zgjidhje të reja. Valter Maxarri është një kandidat teorikisht i besueshëm.

Antonio Konte është i preferuari i tifozëve, adhuron lojën sulmuese, njeh ambientin, ishte pranë pankinës bardhezi në 2009-n dhe është ambicioz. Edhe ai ka një karakter të veçantë. Më pas është edhe Xhian Piero Gasperini, i cili ka udhëhequr të rinjtë e Juves, përpara se të të konfirmohej si një trajner i mirë me Krotonen dhe Xhenoan.

Në fund ekziston edhe pista për një të huaj: është hedhur poshtë hipoteza për Vilas Boas, i cili ka ndërmend të qëndrojë edhe 1 vit me Porton për të luajtur në Champions, ndërkohë që flitet për Luis van Gal, i cili do të lirohet në fund të sezonit, por dhe për Didië Deshamp.

Trajneri aktual i Marsejës ka drejtuar Juven në sezonin 2006-07: u largua pas konflikteve me Blankun dhe Sekon, sapo e ngriti Juven në Serinë A. Didië ka deklaruar shumë herë se është penduar për atë vendim dhe me shumë mundësi do të pranonte sërish të kthehej.
/JUVENEWS.TK/