20 mars 2011

Spaleti në “pole” për stolin Juventin

Ka një problem për trajnerin italian që duhet të lirohet nga Zeniti i Shën Pjetërburgut

Për sa kohë që nuk do të ketë ndonjë surprizë, Xhixhi Del Neri do të vazhdojë deri në fund të këtij sezoni. Më pas, pankina e Juventusit do të ketë një drejtues të ri. Një aventurë jo me shumë fat, kjo e trajnerit 60-vjeçar friulan, “hero” deri për Krishtlindje (skuadra ishte në garën për titull), sot i akuzuari i parë nga tifozët, që janë të dëshpëruar nga një vit shkatërrues si 2011-ta: 11 pikë në 12 ndeshje të kampionatit.

Shifra që i përkasin një ekipi, që lufton për mbijetesë, por edhe për çmim “Guinness” sa i përket të privuarve për shkak të dëmtimeve. Mbi të gjithë dëmtimi i Fabio Kualjarelës, lojtar që në 3 muaj e gjysmë kishte shënuar 9 gola.

Kush do të jetë pasardhësi i Del Nerit?

Sot ka një kandidat të vetëm: Luçiano Spaleti. Është pikërisht ai, synimi parësor i Bepe Marotës dhe Andrea Anjelit. Njeriu i duhur për freskinë, idetë taktike, eksperiencën dhe sjelljen nën presion të madh. Një trajner, i cili di të ndërtojë duke fituar dhe që nuk ka nevojë për ekipe të ndërtuara, apo për praninë e shumë lojtarëve të klasit botëror, në përpjekje për të realizuar idetë e tij futbollistike.

Problemi është Zeniti, sepse të lirohet prej klubit të Sant Petërsburgut, duket tejet e vështirë, pavarësisht eliminimit të freskët nga Liga e Europës (edhe pse i mungoi fati). Është pikërisht Spaleti, i cili për arsye të respektit ndaj rusëve, nuk kërkon ta bëjë ai hapin e parë. Kështu që i takon Juventusit të gjejë mundësitë dhe marrëveshjen me drejtuesit e Zenitit, sepse ish-trajneri i Romës do të thoshte “po” vetëm pas miratimit të rusëve.

Alternativat?

Më e besueshmja është ajo e Roberto Mançinit, edhe për shkak se Kapelo ka vendosur tashmë, që të mos heqë dorë nga Anglia, të paktën deri në fund të vitit 2012. Kandidatura entuziaste, në këtë moment, janë ato të Valter Maxarrit dhe Xhian Piero Gasperinit. Ndër trajnerët e huaj, sytë janë hedhur drejt Didië Deshamp dhe mbi të gjitha tek Andre Vilas Boas, i cili i ka premtuar dashuri Portos, por që përballë Juves mundet edhe të tradhëtojë.
/JUVENEWS.TK/