09 mars 2011

Prishtina mposht Drenicën


Futbollistët e Prishtinës e kanë nisur me fitore pjesën e dytë të garave, pasi të mërkurën si mysafirë në Skenderaj mposhtën Drenicën 0:2, takim ky i mbetur i xhiros 18 të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll.

Mysafirët shfaqën lojë të mirë duke dominuar shumicën e kohës në terren dhe duke krijuar disa raste të mira shënimi. Prishtina ka dominuar edhe në pjesën e dytë, gjë e cila iu shpagua me arritjen e epërsisë prej 1:0 përmes golit të mesfushorit Azem Ahmeti në minutën 70.

Fitoren për mysafirët e konfirmoi në minutën e fundit të ndeshjes rezervisti Faton Zejnullahu.

Pas kësaj fitoreje, Prishtina ka forcuar edhe më shumë kreun e tabelës.

Trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi është shprehur i kënaqur me lojën dhe fitoren e skuadrës së tij.

“Loja ishte e mirë vetëm në disa raste, pasi që terreni nuk ishte aq i mirë. Unë e përgëzoj Drenicën për lojën e treguar dhe i uroj suksese, kurse Prishtina mendoj se fitoi me meritë”, ka thënë ai.

Ndërkaq trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku ka thënë se skuadra e tij ka treguar lojë të mirë vetëm në pjesën e parë.

“Me lojën e Drenicës jam i kënaqur vetëm në pjesën e parë. Në pjesën e dytë nuk arritëm të bëjmë asgjë, dhe kjo është rrjedhojë e përgatitjes fizike të lojtarëve. Na mbetet të punojmë në të ardhmen më shumë, ndonëse nuk mund të themi se e kemi siguruar mbijetesën”, ka thënë ai.

Drenica - Prishtina 0:2
Stadiumi “Bajram Aliu” Skenderaj
Gjyqtarë: K.Vula, A.Latifi dhe F. Agërbashi
Kartonë të verdhë: Kuka, Ibrahimi dhe Zejnullahu (Prishtina)
Shënues: Azem Ahmeti 70’ dhe Faton Zejnullahu 90’

DRENICA: Shosholli, Hajdari, Jashari, Kabashi, Geci, Syla (Behrami), Babaj, Dragusha, Dajaku, Demiraj (Tahiraj) dhe B.Bajraktari (F.Bajraktari)

PRISHTINA: Neziri, Kuka, Ibrahimi, Vokshi, Berisha, Kozhani, Maliqi (Sermaxhaj), Ahmeti, Llumnica (Zejnullahu), Saliagiq dhe Fazliu (Mazrekaj)
/JUVENEWS.TK/