08 mars 2011

Pepe i bindur: "Juventus, një problem psikologjik"

Përse?

Është një prej pyetjeve që tifozët e drejtojnë tashmë prej kohësh.

Përse Juventusi është futur në një tunel dhe nuk arrin të dalë më jashtë?

Përse duken që edhe gjërat më të thjeshta nuk arrijnë t'i kryejnë edhe kampionët e afirmuar?

Simone Pepe, që ka likuiduar javën e skualifikimit dhe mund të kthehet në dispozicion të Del Nerit, provon t'i japë një shpjegim momentit të errët të skuadrës bardhezi: "Është një problem psikologjik, në mendje. Në muajin janar kemi pasur shumë probleme: është dëmtuar Kualjarela, Felipe Melo është skualifikuar për të gjithë muajin, kishte shumë lojtarë të dëmtuar…Të gjithë këto fakte kanë bërë që të arrinin rezultatet negative.

Dukej se gjithçka ishte zgjidhur pas fitoreve kundër Kaljarit dhe Interit, por ndërkohë…ka mbërritur humbja në Leçe. Ka qenë shumë e rëndë, jo vetëm për rezultatin, por edhe për mënyrën sesi ka mbërritur: kemi gabuar shumë rëndë në atë ndeshje dhe ajo paraqitje na ka kondicionuar edhe në dy ndeshjet pasardhëse, sepse na ka hequr sigurinë që besonim se e kishim rigjetur. Për fat të keq nuk ishte ashtu siç kemi menduar".

Shpjegime

Një siguri që është humbur tashmë plotësisht në momentin kur shënojnë kundërshtarët (siç ndodhi në ndeshjet me Bolonjan dhe Milanin): "Pasi kalojmë në disavantazh, ndodh që rrëzohemi më keq. Dëshira për të rikuperuar menjëherë e bashkuar me frikën se mos zbulohemi mbrapa shumë, ka bërë që të humbasim shkëlqimin.

Në atë pikë edhe lëvizjet më të thjeshta bëhen të vështira, sepse nuk e ke mendjen të qetë, je i kondicionuar nga frika se mos kryen gabime dhe në atë pikë, ndodh që gabon gjithmonë dhe shumë". Ok, kjo është e kuptueshme, por si mund të ndryshohet situata e krijuar?

"Duhet impenjim më i madh, por nuk flas për atë që duhet të kryejmë vetë në fushën e lojës çdo ditë, sepse nuk ka munguar asnjëherë. Dëshiroj të them, që është e nevojshme të sforcohemi për të rigjetur brenda nesh atë forcë dhe atë siguri që është larguar.

Si arrihet?

Duke filluar të kujtohet mbase që kemi fituar kundër Interit, kundër Lacios, kundër Milanit në San Siro, që kemi arritur 18 rezultate pozitive radhazi… Duhet të rigjejmë krenarinë për këto rezultate dhe të kuptojmë që, nëse i kemi arritur ka ndodhur, sepse kjo skuadër ka cilësi. Ka një grup të ndërtuar me shumë lojtarë të skuadrës kombëtare dhe shumë të rinj premtues.

Ta kujtojmë përpara çdo ndeshjeje, ta kujtojmë në fushën e lojës, edhe pasi kemi kryer gabime ose kemi pësuar gola, dhe do të lëmë pas krahëve këtë moment negativ që jemi duke kaluar". Por tifozët presin një ndryshim të gjendjes së Juventusit: "E kuptoj shumë mirë keqardhjen e tyre.

Na kanë qëndruar shumë pranë gjatë këtij sezoni dhe tani janë të zhgënjyer nga këto rezultatet e fundit dhe kjo është normale. Ne kemi nevojë për ndihmën e tyre, por tani duhet të rifitojmë besimin e tyre edhe mbi të gjitha për ta duhet të kthejmë faqe".
/JUVENEWS.TK/