03 mars 2011

Pagesat ilegale, rrezikojnë 6 klube në Serinë A

Gjashtë klube të Serisë A dhe një total prej 36 skuadrash në tre kategoritë më të larta italiane mund të ndëshkohen, pasi hetimet treguan se ato kanë përdorur pagesa ilegale gjatë merkatos.

Siç informuan sot mediat italiane, një komision i posaçëm i Federatës arriti në përfundimin se përdorimi i llogarive të tjera, veç atyre të përcaktuara për lëvizjet e futbollistëve, është një praktikë normale në Itali.

”Gjashtë skuadra të Serisë A, gjashtë skuadra të Serisë B dhe 24 të tjera të kategorive C1 kanë shkelur rregullin e kërkuar nga Federata dhe UEFA, për përdorimin e vetëm një llogarie për nevojat e merkatos”, shkruante komisioni në përfundimet e tij.

Emrat e skuadrave mbahen për momentin të fshehta, ndërsa fjalën përfundimtare do t’a ketë Komisioni i Disiplinës. Masat që mund të merren variojnë nga gjoba të majme, deri në heqjen e pikëve në renditje.
/JUVENEWS.TK/