10 mars 2011

Moxhi: Gjytarët u ngrenë kapelen “big”-ëve

Ish-drejtori i përgjithshëm bardhezi “thumbon” sërish Moratin: Nuk është i informuar mbi përgjimet

Vazhdojnë goditjet dhe kundërpërgjigjet në distancë mes Moxhit dhe Moratit. Ish-drejtuesi i Juventusit ka kontestuar gjithmonë kriteret, mbi bazën e të cilëve janë gjykuar përgjimet që i referohen skandalit që plasi në 2006-n. “Çfarë është “Calciopoli” pas 5 vitesh? Nuk ka ndodhur asgjë,” shpjegoi Moxhi.

“Nga 170 mijë telefonata, kanë marrë vetëm 40 dhe të gjitha janë të Juves. Të tjerat janë të gjitha të parëndësishme. Ishte e parëndësishme kur Faketi i thoshte Bertinit ‘më bëj të fitoj ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Kaljarit’ në transfertën e vitit 2008-të dhe pas kësaj Interi fitoi Kupën e Italisë, të cilën Federata duhet t’ia hiqte.

Ishte e parëndësishme kur i thuhej dizenjatorit ‘kalo nga zyra se Morati duhet të të japë një dhuratë’. Ndërkohë është i rëndësishëm fakti që një klub (Juventusi) mbrohet nga këto gjëra.” Moxhi nuk është ndjerë i surprizuar nga bashkëpërfshirja e Interit edhe pse me vonesë. Përkundrazi, ai e priste këtë gjë:

Morati thotë se të përmendësh Interin është qesharake? Ndoshta nuk ka lexuar përgjimet. Ndoshta nuk kujton që ka telefonuar në zyrën e tij Tavarolin, që Tavaroli me Faketin kanë përfshirë Çiprianin. Flet shumë sa për të folur dhe bën finte për asgjë.

” Moxhi përfiton nga polemika e lindur së fundmi nga Aurelio De Laurentis, i cili ka thënë se “vetëm të mëdhenjtë e njohin pallatin mbretëror, ndërsa Napoli hap telashe” për të hapur një tjetër kapitull polemizues: “Gabon tani dhe ka gabuar edhe më parë kur ka thënë se ‘futbolli është më i pastër’.

Futbolli ka qenë gjithmonë i pastër dhe kurrë i qelbur. Ka gabuar tani, duke thënë se ‘atje lart askush nuk e do Napolin’, duke rënë në kontradiktë. Nëse dikush atje lart nuk e dëshiron Napolin, do të thotë se futbolli nuk është i pastër, kështu që nga dy thëniet, qëndron vetëm njëra.

” Ish-drejtori i përgjithshëm juventin, shpjegon sjelljet e gjyqtarëve: “E vërteta është se arbitrat nuk janë personat që trukojnë, por kur gjenden përpara Interit, Romës dhe Milanit, e ngrejnë shumë kapelen, por e bëjnë në mënyrë të pavullnetshme.

Quhet ‘nënshtrim psikologjik’. De Laurentis bën mirë të kërkojë më shumë vëmendje, por ka gabuar në të kaluarën kur ka thënë se ‘arbitrat janë të gjithë të zotë dhe nëse gabojnë është vetëm rastësi’”.
/JUVENEWS.TK/