16 mars 2011

Milani “dërgon” Pirlon te Juventusi

Bardhezinjtë janë gati t’i ofrojnë një kontratë trevjeçare mesfushorit kuqezi

Çfarë kanë të përbashkët Milani dhe Juventusi në këtë moment të sezonit? Asgjë, me përjashtim të një lojtari: Andrea Pirlo. Mesfushori, në fakt, vazhdon të jetë në shënjestrën e bardhezinjve. Bëhet fjalë për një ide që mund të konkretizohet pavarësisht heshtjes në lidhje me këtë operacion.

Në Torino janë të gatshëm të ofrojnë një kontratë trevjeçare prej 3 deri në 4 milionë euro në sezon, pa hequr dorë nga Akuilani. Dhe Milani për momentin nuk e ka ngritur çmimin e mesfushorit.

Klubi i Berluskonit e ka shtyrë çështjen e rinovimit, dhe gjithsesi nuk do t’i ofronte lojtarit më shumë se një kontratë dyvjeçare me një përgjysmim të rrogës: nga 6 në 3 milionë euro në vit.

Ndoshta për këtë arsye 32-vjeçari breshian po e përjeton këtë moment të rëndësishëm të kuqezinjve pak i shkëputur, jo vetëm për shkak të dëmtimit, por edhe për shkak të një ftohjeje të marrëdhënieve me klubin. Oferta e Juves (që mund të jetë edhe katërvjeçare) është tunduese dhe ai po mendohet seriozisht.

Edhe për atë se do të kompletonte një “tripletë” personale të rrallë për një futbollist: në fillim tek Interi, më pas te Milani dhe tani te bardhezinjtë. Pikërisht Pirlo do të ishte lojtari i duhur për Del Nerin ose për atë që mund të marrë vendin e tij në sezonin e ardhshëm.

Fantazia e tij në mesin e fushës mund t’i japë Del Pieros me shokë atë që i ka munguar deri tani. Por pa hequr dorë nga Akuilani. Lojtari, me përjahstim të surprizave, duhet të blihet përfundimisht në fundin e sezonit, edhe pse Liverpulit do të t’i kërkohet një ulje prej disa milionësh.
/JUVENEWS.TK/