17 mars 2011

Matri - Del Piero për të shpëtuar Juventusin

Pas Vialit, Vierit, Inzagit e Trezegesë, ja shoku i ri i sulmin për kapitenin, që synon Europën

Dyshja sulmuese, ajo që mbetet në histori, është ndarë vetëm para pak muajsh, Alesandro del Piero dhe David Trezege, më i madhi i të gjitha kohërave dhe i huaji më frutdhënës i Juves, artisti me specialistin. Ajo që kanë dhuruar së bashku: shumë gola, asnjë debat dhe në fund një renditje në klasifikimin e golashënuesve më të mirë duke zënë respektivisht vendet 1 dhe 2.

Trezege luan tashmë dhe shënon tek Herkules, ndërkohë sulmuesit e Juves nuk kanë gjetur rrugën e rrjetës rregullisht, për fat të keq. Megjithatë, pas shumë muajsh kërkime, një pasardhës me perspektivë është: i zoti, teknik, i lehtë, i ftohtë në zonën e rreptësisë.

Alesandro Matri nuk është David Trezege, por mund të zerë vendin e tij me aftësinë e atij që di të bëjë mirë pa u mburrur dhe pa bërë krahasime të padobishme. Matri bardhezi ka luajtur 7 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola: dy dopieta, kundër Kaljarit dhe Çezenës, dhe një gol vendimtar ndaj Interit.

Nëse kundër Palermos dhe ndaj zikaltërve do të shfrytëzonte më mirë rastet e dhëna, sot me shumë mundësi do të kishte arritur një mesatare prej 1 goli për ndeshje, por nuk është kjo çështja me më shumë rëndësi.

Më tepër interes ka fakti se ai mund të përshtatet mirë në sulmin e Juves, që për momentin nuk po mendon njeri më për Pacinin, që të gjithë kanë besim tek ai, në veçanti Del Piero, i cili e kërkon Matrin me lehtësi dhe që e përkëdheli pas golit të parë ndaj Çezenës.

Sa shumë çifte - Kur kapiteni (Del Piero) kishte filluar të shpërthente me golat e tij në Europë, Alesandro tjetër nisi të luante futboll. Kapiteni: “Raporti me tifozët është special. Zhgënjimi i tyre është normal, do të provojmë t’i bëjmë të besojnë sërish”.

Hera e parë që Del Piero aktivizohej si titullar me Juven (6 mars 1994, humbja 1-0 me Milanin në Torino), sulmuesi kryesor ishte ai, ndërsa Roberto Baxhio ishte pak më i tërhequr. Gjatë kalimit të viteve, Del Piero ka patur partnerë sulmi të mëdhenj: Xhianluka Viali, Kristian Vieri dhe Alen Boksiç (në të njëjtin sezon), Pipo Inzagi dhe më pas David Trezege.

Emra të mëdhenj, sulmues të mëdhenj. Tashmë i takon Matrit, dhe teksa do të jemi në pritje për të zbuluar se çfarë do të ndodhë në merkaton e verës, kjo është e vetmja gjë e qartë tek bardhezinjtë.

Të vazhdohet kështu - Dyshja e re kombinon mirë si në aspektin teknik (Matri di të luajë edhe jashtë zone dhe komunikon mirë) ashtu edhe atë taktik: mbulimi i hapësirave bëhet në mënyrë natyrale dhe prezenca e Del Pieros është më shumë funksionale ndaj karakteristikave të Matrit, sesa ishte ndaj Tonit.

Në fazën finale të sezonit, është pikërisht ky çifti i sulmuesve, ku duhet të mbështetet Del Neri. Del Piero është kthyer në ndeshjen e Çezenës dhe i ka dhënë një mesazh tifozëve: “Nuk arrita t’i gëzohem performancës time për shkak të rezultatit të ndeshjes.

Mendimi i secilit prej nesh duhet të kalojë mbi të gjitha tek grupi, kjo vlen edhe për zëvendësimin tim. Raporti me tifozët pas 18 vitesh tek Juventus është special. Zhgënjimi i tyre është i kuptueshëm. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të futemi në fushë dhe t’i bëjmë ata të besojnë sërish.”
/JUVENEWS.TK/