03 mars 2011

Lajme të mira nga FIFA

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka marrë lajme të mira pas mbledhjes së Asociacionit të Federatave të FIFA’s, e cila është mbajtur të martën mbrëma në Zurich të Zvicrës.

Shtëpia botërore e futbollit më në fund pritet ta aprovojë kërkesën e drejtuesve të futbollit kosovar, që t’i lejojë përfaqësueses së Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Diskutimin për kërkesën e kosovarëve, në mbledhjen e Asociacionit të Federatave e ka iniciuar kryetari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF), Armand Duka, i cili ka qenë i shoqëruar nga kreu i FFK’së, Fadil Vokrri.

Numri një i futbollit shqiptar thotë se kjo kërkesë ka marrë përkrahjen e këtij Asociacionit, derisa Komiteti Ekzekutiv i FIFA’s në mbledhjen e radhës pritet ta thotë fjalën e fundit e cila, sipas Dukës, do të jetë pozitive.

“Në mbledhjen e Asociacionit të Federatave e kemi diskutuar edhe kërkesën e Federatës së Kosovës për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim”, ka thënë Duka për Express të mërkurën.

“Ky asociacion nuk merr vendim, por Komiteti Ekzekutiv i FIFA’s në mbledhjen e radhës do ta thotë fjalën e fundit. Unë besoj se përgjigjja do të jetë pozitive dhe Kosovës do t’i lejohet të luajë ndeshje miqësore”, ka theksuar Duka, i cili vazhdimisht ka ndihmuar krerët e futbollit kosovar në rrugën drejt ndërkombëtarizmit.

FFK’ja vazhdimisht është duke bërë përpjekje për ndërkombëtarizmin e futbollit dhe krejt çka kanë arritur deri më tani është njohja e kartonëve të futbollistëve kosovarë nga ana e FIFA’s.

Mirëpo, pas kësaj, FFK’së pritet t’i lejohet që të zhvillojë edhe ndeshje miqësore me përfaqësueses e huaja, pasi deri më tani një gjë të tillë nuk ka pasur të drejtë ta bëjë.
/JUVENEWS.TK/